Materjale të ndyshme Fan Stilian Noli

Exp

Kalorës
Përkthyesi më i mirë që kemi në gjuhën shqipe është Fan Noli dhe kur përkthen ai është njëlloj sikur e shkruan nga e para.
Për ata që nuk e kanë lexuar Jul Qesarin po e shtojmë këtu këtë vepër.
 

Attachments

  • Uilliam-Shekspir_Jul-Qesari.pdf
    390.5 KB · Shikuar: 437
Në këtë temë do të postojmë materiale të ndryshme nga Fan Noli.
Dy fjalë për Fan Nolin:
Fan Noli ose si njihet edhe me emrin gjatë Fan Stilian Noli ka qenë prift, politikan, diplomat, përkthyes, historian dhe poet. Fan Noli lindi më 6 Janar 1882 Ibirktepe ( në Turqin e sotme) dhe vdiq më 15 Mars 1965 në SHBA.
Fan Noli ka lënë gjurmë në historinë Shqiptare jo vetëm si ministër i punëve jashtme nga 24 Dhjetor 1921 – 11 Shtator 1922 dhe si kryeministër nga 16 Qershor 1924 – 23 Dhjetor 1924, por edhe si një përkthyes i zoti, historian dhe poet.
Disa nga veprat e Fan Nolit janë:
Historia e Skënderbeut - 1921
Bethoveni dhe Revolucioni Francez 1947
Albumi - vëllim vjershash - 1948
Autobiografia - 1960
Izraelitë e Filistinë - dramë
 
A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?
Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,
keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?
Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?
Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?
Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të
parë
në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?
E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?
Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?
Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?
I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,
Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,
Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,
Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,
Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i madh me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,
Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,
Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,
Kësaj gjëje i venë kapak !
A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?
Ke sa të duash Tropojanë !

Poezi nga Fan Noli 1926
 

ANËS LUMENJVE​


Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam' e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç'e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç'e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.


Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall', as i varrosur,
pres një shenj' e pres një dritë,
pres me vjet' e pres me ditë,
se ç'u tera, se ç'u mpaka,
se ç'u çora, se ç'u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.


dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar' e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!


ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.


arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes' e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
- Poezi nga Fan Noli
 

HYMNI I FLAMURIT​


O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S'të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben' u-lavdërove
Dhe në furtun' i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri.
- Poezi nga Fan Noli
 

SYRGJYN -VDEKUR​


(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.


Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.


Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t'a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.


Nëno moj, m'a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s'i dhe as varr për hor.


Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojë-mjalt' e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall' e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
- Poezi nga Fan Noli
 

JEPNI PER NENEN​


Ç'thot' ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!"
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.

Qan e lutet Nën' e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç'e pat me Skënderbenë,
Bijt' e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s'i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Cilët jan' ata tiranë
Që të pren' e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t'u-nxi, t'u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn' e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan', o Shkab' e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok' i mbytni,
Mbushni gjyle që t'i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s'ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S'kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n'Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon' e vyer,
Që me drit' e nder të thuresh
Dhe me bijt' e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s'i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin' e vëndit t'onë,
Sot -se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.

1917
- Poezi nga Fan Noli
 

Varri i Fan Noli-t në Boston, Massachusetts!


Screenshot_20231031-223837_Samsung Internet.jpg
 

Kjo temë po shikohet nga (Gjithësej: 1, Anëtarë: 0, Vizitorë: 1)

Back
Top