Sa kushton të pushosh në Shqipëri!

Uriel

Ushtar mjeshtër
Turizem-1-889.jpg



Durrësi, vështirë të gjesh dhoma, çmimet rriten me 2 euro
Durrësi, falë numrit të madh të të huajve, që vijnë nëpërmjet agjencive, po përjeton vitet e fundit shkëlqimin e tij, pas viteve të tëra braktisje. Nëse do të kërkoni rezervimin e një dhome në fundjavë praktikisht do ta keni të pamundur, flasim këtu tek grupi i hoteleve që konsiderohen relativisht të mirë. Një dhomë standarde për tre veta, me mëngjes, ishte e pamundur të gjendej në disa hotele ku pyetëm dhe që konsiderohen me 3 apo 4 yje, ndërkohë që tek ato ku kishte mundësi të gjeje, çmimi varionte nga 80 euro me mëngjesin të përfshirë, në 70 euro personi (210 euro dhoma) me katër vakte të përfshira në të.
Polakët, çekët, gjermanët, nordikët kanë vite që pushojnë në zonën e Golemit, nga maji e deri në fund të shtatorit me kontrata të parapaguara nga agjencitë, çka i ka rritur vlerën zonës, ka nxitur investime të reja në struktura akomoduese dhe si rrjedhojë ka sjellë edhe rritje graduale të çmimeve.

.

Saranda, nordikët e “pushtojnë” nga Korfuzi e Janina, çmimet deri 150 euro
Teksa jemi mësuar që nordikët të përqendrohen në zonën e Golemit duket se Saranda është një tjetër destinacion që përzgjidhet prej tyre. Arbër Shahu, i cili njeh mirë sektorin, thekson se ardhja e tyre në Sarandë është bërë kryesisht nga Janina. “Udhëtojnë tre orë e gjysmë sepse janë kureshtarë për vendin tonë. Gjithsesi, Saranda është në pikën ku ishte Durrësi pak vite më parë. Duhet të rrisin me shpejtësi standardet e shërbimit dhe akomodimit ose, në të kundërt, do të dështojnë shumë shpejt. Një tjetër problem është mungesa e një aeroporti në Jug. Duhet me patjetër për të shkurtuar distancat dhe për t’i dhënë mundësi gjithë vijës bregdetare në Jug për t’u zhvilluar. “Turistët vijnë përmes Janinës dhe Korfuzit dhe ka nordikë e polakë. Në shifra, vihet re reduktimi i këtyre dy grupeve në raport me vitet e mëparshme, pasi fokusi është vendosur në Durrës. Dikur Saranda ka qenë shumë më shumë sesa Durrësi në shifra, flasim këtu para tre vitesh. Apollo dhe Itaka preferonin këtë zonë si fillim”, nënvizon Kasa. Lidhur me çmimet, ai nënvizon se janë të ndara në dy lloj çmimesh. Çmimet e para nisin nga 50 euro deri në 150 euro për qytetarët kurse të dytët që janë të fiksuar me kontrata paraprake për turizmin e organizuar dhe që përfshijnë edhe elemente të tjera.

Shtetasit e Kosovës braktisin Shëngjinin, 20% më pak se vjet, problem informaliteti
Shëngjini, në këtë sezon veror, paraqitet më dobët sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Të paktën deri në mes të korrikut operatorët raportojnë një numër më të ulët të turistëve sidomos nga Kosova. Sot në Shëngjin i gjen dhomat edhe 20 euro në mënyrë informale”, thotë Gjini. Këtë herë, thekson ai, Tatimet kanë pasur një qasje disi më pozitive në aspekt me bizneset duke organizuar fushata sensibilizimi për kuponët tatimorë apo aspekte të tjera të formalizmit dhe pagesave.



Nga Veriu në Jug, Velipoja më e lira, Jali më i shtrenjti
Operatorët turistikë vlerësojnë se këtë vit ka pasur një qëndrueshmëri të çmimeve në raport me një vit më parë. Bregdeti ka ruajtur prirjen e vet tradicionale ku zonat e konsideruara të lira e shoqërojnë këtë jo vetëm me pjesën e akomodimit por edhe të shërbimeve të tjera restorante, bare dhe shezlongë ashtu sikurse janë të njëjtat zona që konsiderohen të shtrenjta prej vitesh. Sipas operatorëve të tregut, Velipoja mbetet vija bregdetare më e lirë në gjithë vendin me struktura akomoduese që ofrojnë çmimet që nisin nga 2000 lekë deri në 4000 lekë për person.
Një pjesë e mirë e këtyre hoteleve po ofrojnë menu të tipit half board (mëngjes dhe darkë) dhe strukturat janë të kategorisë 1 deri në 3 yje që kryesisht i frekuentojnë turistët nga Kosova. Shëngjini është pak më i shtrenjtë nga 10-20% më shumë se Velipoja. Fillimisht ai ishte destinacioni i parë i polakëve dhe çekëve, por së fundmi ka humbur këtë klientelë. Operatorët nënvizojnë se vetëm fundjavave ka ngjallëri të përgjithshme në gjithë vijën bregdetare, ndërsa gjatë javës gjysma e shezlongëve janë bosh.
Për të zbritur më poshtë në Durrës, shkëlqimi i zonës së Golemit lidhet ngushtë me faktin që preferohet për shkak të afërsisë që ka me Aeroportin e Tiranës. Turistët nordikë, polakë dhe gjermanë preferojnë të udhëtojnë me charter dhe të kalojnë pak kohë në autobusë. Distanca nga Tirana në Durrës është e tillë që tolerohet.
Divjaka, përmes disa strukturave të veçanta, ka nisur të ofrojë shërbimet all inclusive kundrejt paketave 50 euro personi ndërkohë që vetëm hoteli për një dhomë standarde dyshe luhatet mes 20 dhe 50 euro. Për të zbritur më tej në Vlorë. Kjo e fundit në raport me një vit më parë mbetet në të njëjtat nivele, por në raport me Durrësin më e shtrenjtë, sidomos kur merr parasysh përfshirjen e Jalit apo Dhërmiut. Zonat me çmime më të përballueshme në Vlorë janë Radhima dhe Orikumi ku mund të gjesh edhe dhoma me 30 euro. Gjithsesi, ka një lloj diference për dhomat afër detit dhe për ato më të distancuara, që sigurisht janë më të shtrenjta. Ashtu sikurse ka një diferencë mes dhomave në struktura akomoduese të regjistruara dhe ato që ushtrojnë aktivitetin në informalitet.
Jali dhe Dhërmiu, edhe pse ofrojnë ekstremet e sipërme me çmime deri në 200 euro nata, ofrojnë edhe mundësi të lira. Por ajo që sërish i bën të shtrenjta si destinacione janë shërbime të tjera që lidhen me shezlongun që në disa raste shkon edhe 10 mijë lekë të reja, apo baret dhe restorantet. Frekuentues të Vlorës dhe Jugut janë kryesisht kryeqytetasit, emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë apo italianët, gjermanët dhe polakët por në mënyrë të paorganizuar. Arsyet pse ende nuk kemi një masivizim në këtë zonë është çështja e transportit.
Saranda është e dyta pas Durrësit për turizmin e organizuar. Lidhur me strukturat akomoduese, çmimi mesatar minimal është 40 euro nata ndërsa ai mesatar maksimal, është 110 euro nata.

Çmimet në rritje po largojnë polakët, po hedhin sytë nga Greqia dhe Turqia
Numri i turistëve polakë ka rënë gjatë këtij viti. Shifrat zyrtare tregojnë se për periudhën janar-maj 2019 kanë hyrë në vend 13 mijë shtetas polakë, me rënie 4.2% me bazë vjetore.
Tkurrja ishte më e lartë në maj, kohë që përkon me fillimin e sezonit turistik. Sipas INSTAT, në muajin maj polakët, shënuan rënie me gati 13% në raport me majin e kaluar, jo vetëm për shkak të krizës politike, por edhe problemeve që ka Shqipëria me shërbimet, infrastrukturën. Në një intervistë për “Monitor”, Maciej Sokalski, Koordinator i Shitjeve për “Rego-Bis” në Poloni, nënvizonte se një nga arsyet pse polakët po largohen është rritja e çmimeve. “Nga viti 2015, kur kam ardhur për herë të parë këtu, Shqipëria ishte një bum i madh. Ne filluam të shisnim çdo vit e më shumë paketa për këtë destinacion. Nisëm me një avion dhe një autobus në javë. Më pas, në 2016-n, kishim dy avionë dhe një autobus. Në 2017 dhe 2018, kishim tre avionë në javë dhe një autobus. Pak a shumë ishin bashkë 800 njerëz në javë. Këtë vit, kemi vetëm dy avionë dhe një autobus sepse Shqipëria tashmë është shumë e shtrenjtë për ne.
Mund të blejmë të njëjtat pushime në Greqi ose në Turqi, edhe në hotele me katër yje. Ndryshimi në çmime erdhi vitin e kaluar dhe ishim në një pikë ku Shqipëria mund të krahasohej me Turqinë. Shumë njerëz nga Polonia zgjedhin Greqinë dhe Turqinë, sepse kanë imazh më të konsoliduar turistik. Unë vetë përpiqem t’iu shpjegoj dhe iu flas shumë për anën pozitive të Shqipërisë. Por opinioni që mbizotëron është ai i një vendi të ndotur. Mund të shohësh fare mirë që rreth hoteleve, mjedisi vuan shumë nga plehrat dhe nuk ka kosha”, shprehet Sokalski.


Monitor
 
  • Pëlqej
Reagimet: Exp
Nese shkon per pushime ne Shqiperi, shpenzimet nuk do jen shume te medha krahasuar me shtetet tjera qe e kane shume te zhvilluar turizmin veror.
 
Një nga efektet të parasë së futur në treg nga turizmi apo emigracioni bën që spekullimet të arrijnë në qiell dhe të shkatërrojnë buxhetin e banorëve vëndas. Grykësia dhe babëzia nuk kanë të sosur, veçanërisht për njerëzit që nuk dinë sesi funksionon klientela mendojnë vetëm për sot dhe motoja e tyre është "Po deshe!" Nuk pres që situata të rregullohet. Diçka e tillë nuk vërehet në Itali apo Greqi njerëzit janë mësuar të punojnë dhe jo të vjedhin, dhe nuk ka rëndësi për ata je grek, italian apo i huaj, ata kanë një çmim për të gjithë dhe normalisht nuk janë kaq sa këto çmime këtu.
1. Duhet të ndërgjegjësohet shqiptari që të mos e harxhojë paranë tek ata, më mirë pusho dy ditë më pak në Greqi, Turqi dhe Malin e Zi sesa tek këta harbutë në Shqipëri dhe ka shumë gjasa të të dalë më lirë.
2. Duhet të informohen shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë se turizmi patriotik nuk ka kuptim dhe se turistët kosovarë trajtohen shumë keq në Shqipëri dhe se për ta ka çmime të tjera shpesh herë.
3. Shumica e shqiptarëve zgjënjehen kur venë me pushime, të cila nuk janë pushime por mundime...
 
Si e kam thënë edhe tek tema Siguria e Turizmit ne Shqiperi ky është problemi i turizmit në shqipëri.
Para nja 4-5 vite më parë po bisedoja me një Kosovar i cili punonte në Zvicër dhe kishte ardhur me pushime për plazh në Durrës. Kam 4 ditë më tha dhe kam harxhuar 1.500€ dhe nuk e kam kuotuar hiç se si u harxhuan. Është hera e parë, tha, dhe hera e fundit. Gjërat kaq të shtrenjta nuk janë as në Zvicër tha.
 

Ja dhe disa tema interesante

Kjo temë po shikohet nga (Gjithësej: 1, Anëtarë: 0, Vizitorë: 1)

Back
Top