Në Prishtinë ka nisur edicioni i 39-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Edhe këtë vit, ky seminar ka mbledhur në Prishtinë, një numër të konsidrueshëm të studiuesve të albanologjisë dhe studentë nga e gjithë bota.
Jan Jansen nga Holanda tregon se gjuhën shqipe nisi ta mësojë në vitet 80 kur punonte për Amnesty International dhe shkruante raporte për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Qe nga ajo kohë ai u mishërua me këtë gjuhë dhe pëlqen edhe autoret nga Shqipëria e Kosova.
Studiuesja nga Rusia, Maria Morozova tregon se një vizitë në fshatrat e Ukrainës ku jetojnë shqiptarët bëri që të dashurohet me shqipen.
Ndërsa, kolegu i saj, Aleksandër Novik, e nisi studimin e shqipes pas një vizite në Kosovë si student, ku edhe atëherë mori pjesë në seminar ndërkombëtar të gjuhës.
Ai tregon se universiteti i Shën Petersburgut ka degën e kësaj gjuhe.
Në seminarin e 39-të të gjuhës shqipe për herë të parë po merr pjesë edhe studentja nga Hungaria, Masha Nemat.
“Më pëlqen Shqipëria, më pëlqen gjuha shqipe,” – u shpreh ajo.
Programi i seminarit këtë vit është i larmishëm duke pasur si bosht gjashtë tema kryesore për tri sesione shkencore, por edhe një numër të konsiderueshëm të referimeve dhe të ligjëratave të rregullta në ditët e seminarit.
Në hapjen e tij ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili foli për sfidat e shqipes, në letërsi e kulturë, ku u zotua edhe për mbështetje institucionale.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbahet në Prishtinë deri me 3 shtator.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tetë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
SEMINARI XXXIX DO T’I ZHVILLOJË PUNIMET NË PRISHTINË NGA 23 gusht – 3 shtator 2021.
Arritja e seminaristëve në Kosovë, më 22 gusht 2021 (e diel). Hapja solemne e Seminarit XXXIX, më 23 gusht 2021, në orën 11:00.
Programi bazë i Seminarit XXXIX:
- Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele);
- Ligjërata të veçanta të gjuhësisë;
- Ligjërata për letërsinë shqiptare;
- Ligjërata për kulturën shqiptare;
- Tryeza;
- Referime shkencore;
- Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore dhe historinë, si dhe me veprimtaritë kulturore në vende të ndryshme të Kosovës.
SESIONET SHKENCORE (2 – 3 Shtator 2021)
Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (2 – 3 Shtator 2021) janë:
- Gjuhësi:
- Struktura e shqipes së vjetër
- Shqipja dhe varietetet e saj
- Letërsi:
- Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi
Duke u nisur nga këto dy prerje të mëdha, letërsia shqipe mund të hetohet e interpretohen nën dritën e:
- Vetmisë si parakusht i kërkimit, zbulimit dhe krijimit të vetvetes dhe botës;
- Vetmisë dhe veçimit si ndërtim e zotërim i vetvetes dhe i identitetit personal;
- Veçimit prej shoqërisë si distancë higjenike prej “tjetrit” ( edhe ai i zbulueshëm pikërisht prej vetmisë dhe veçimit) për të zbuluar kufijtë e vetvetes;
- Mungesës së veçimit social si parakusht e produkt i letërsisë së masës;
- Vetmisë dhe veçimit të individit krijues nga shoqëria, dukuri e “izma-ve” letrare të shekullit XX, edhe në letërsinë shqipe.
- Mësimdhënia e letërsisë për nxënësit e mijëvjeçarit të ri
Rasti i mësimdhënies digjitale gjatë periudhës së pandemisë, më shumë se një vit në te gjitha nivelet e mësimdhënies së letërsisë mund të shërbejë si një casus për të analizuar disa prej çështjeve të sipërpërmendura.
- Kulturologji:
- Roli i medias në periudhën e infodemisë
Në periudhën e post-së-vërtetës, diskursit popullist, dhe zhvillimit marramendës të teknologjisë digjitale, po bëhet gjithnjë më e vështirë të dallohen informacionet faktike nga propaganda. Dezinformatat për coronavirusin po shpërndahen po aq shpejt sa edhe vetë virusi, duke filluar prej ilaçeve mrekullibërëse të mjekësisë alternative e deri te aktivizmi për anti-vaksinim dhe teoritë e konspiracionit. Lajmet e rreme që shpesh janë të dorës së dytë apo të tretë, bëhen virale sidomos nëpër rrjetet sociale, dhe pakkush nga publiku ua kushton ato 20 sekonda të larjes së duarve edhe verifikimit të burimit apo kërkimit të thjeshtë në Google. Infodemia shkakton efekt të fuqishëm emocional duke i lënë anash gjykimin racional dhe mendimin kritik.
Cili është roli i medias në këtë kaos infodemik?
- Fake news në epokën e vetëkomunikimit
Abstraktet deri në 300 fjalë në shqip dhe në anglisht dorëzohen deri më 20 korrik 2021 në e-mail adresën [email protected]. Abstraktet duhet të përmbajnë temën dhe qëllimin e hulumtimit, sfondin kërkimor dhe metodologjinë si dhe rezultatet e pritura. Po ashtu, luteni të shkruani një biografi të shkurtër dhe të specifikoni nëse aplikoni për sesion shkencor apo referim shkencor. Vlerësimi dhe përzgjedhja e punimeve bëhet deri më 25 korrik 2021.
Studiuesit nga Shqipëria duhet të aplikojnë në bashkëdrejtorinë e Seminarit në Tiranë (e-mail adresa: [email protected]).
Po ashtu, ftohen studiuesit të cilët nuk do të mund të jenë pjesë e Seminarit të sivjetmë dhe ta shpalosin punën e tyre shkencore, që t’i dërgojnë punimet e tyre për botim në revistën e Seminarit 39. Punimet të cilat duhet të përmbajnë abstraktin në shqip dhe anglisht dorëzohen deri më 1 dhjetor 2021 në e-mail adresën [email protected].