“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin apo pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.
Gjithashtu, ai njofton shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, se nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit.
Cakaj thekson se të njëjtat përpjekje e hapa Shqipëria i ka ndërmarrë edhe me shtete të tjera ku ka komunitete shqiptare, por për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.
“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përmbyll Cakaj postimin e tij.
Burimi: Top Channel