FJALORI I NAIM FRASHËRIT NGA DHIMITËR SHUTERIQI

Exp

Kalorës Legjendar
Anëtar Stafi
Regjistruar
12 Shkurt 2018
Komente
12,377
Reagimet
8,749
“FJALORI I NAIM FRASHËRIT” NGA DHIMITËR SHUTERIQI
Për shkak të rrethanave të njohura historike, në fillimet e letërsisë artistike shqipe shkrimtarëve tanë u është dashur që të kryenin dy detyra njëkohësisht: të krijonin vepra letrare dhe të ndërtonin gjuhën e shkruar shqipe, gjuhën letrare. Në vend të shpjegimeve të hollësishme, mund të bëj vetëm një krahasim jo aq të zakonshëm. Në kohën kur shkrimtarët europianë gjatë shekullit XIX përpunonin rryma të ndryshme letrare, të themi romantizmin, realizmin, natyralizmin, simbolizmin e kështu më tej, autorëve shqiptarë u duhej ta nisnin me alfabetin dhe me ngritjen e dialektit të vet në shkallën e gjuhës së shkruar. Për këtë arsye historitë e letërsisë shqipe rregullisht nisin me trajtimin gjerësisht të historisë së shkrimit të shqipes, prandaj edhe historianët e letërsisë kanë qenë mirëfilli filologë. Mjafton të përmend se Eqrem Çabej librin e parë e titullonte Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Mahir Domi ishte ndër autorët kryesore të historisë së letërsisë shqipe, Shaban Demiraj e ka filluar me gjuhën e Varibobës e të Sami Frashërit. Në këtë varg të filologëve tanë të njohur bën pjesë edhe Dhimitër Shuteriqi, i cili ka qenë autori i teksteve të para për shkollën e mesme pikërisht të historisë së letërsisë.

Do të shtoja edhe një anë tjetër. Për një shekull e gjysmë te lëvruesit e shqipes ka zotëruar mendimi, se shqipen letrare, atë që sot e quajmë gjuhë standarde, do ta vendoste vepra e një autori të shquar, siç vlerësohej se kishte ndodhur me Dante Aligierin, që kishte hedhur themelet e italishtes letrare. Një nga pasojat e këtij vështrimi ka qenë edhe vlerësimi i veçantë i rolit të letërsisë, të shkrimtarëve në ecurinë e gjuhës letrare. Për këtë arsye deri më sot punimet parësore për gjuhën, siç janë studimet, gramatikat dhe fjalorët i kanë marrë shembujt kurdoherë nga veprat letrare dhe jo nga shkrimet shkencore, nga publicistika, dokumentet e veprimtarisë shtetërore dhe të tjera. Për këto arsye më duket nuk qëndron mendimi i përhapur, se kemi mangësi në studimin e gjuhës së shkrimtarëve. Kjo vërejtje mund të vlente për shkrimtarët e sotëm, të periudhës së shqipes së sotme, por jo për etapat e mëparshme.

Gjithsesi, këtu është fjala për një botim të ri nga Dhimitër Shuteriqi, botim i cili mund të kujtohej pak i papritur nga pena e tij. Shuteriqi nuk ka marrë pjesë në hartimin e fjalorëve të ditur, por ai është autori i një vepre leksikografike të pakapërcyer, me titullin Fjalë nga leksiku i shqipes para Buzukut (879-1553), që ka dalë në “Studime filologjike” (katër numra më 1981, dy më 1982 dhe një më 1983). Nga ana tjetër, për Naim Frashërin ai ka filluar të shkruante qysh më 1946 dhe ka botuar 17 shkrime të ndryshme, duke përfshirë edhe vëllimin për jetën dhe veprën e Naimit më 1982. Kuptohet që është i mirëpritur ky botim i ri në rrjedhën e një pune të gjatë, për të cilën mund të thosha se qenka një vazhdim edhe pasi autori është ndarë nga jeta. Nga ana tjetër, edhe vetë hartimi i këtij fjalori paska kërkuar një punë mjaft të gjatë.

Siç mësojmë nga Parathënia e autorit, shtysën për t’iu përveshur një sipërmarrjeje të tillë e paska ndier që me ngritjen e Institutit Pedagogjik, kur nisi të jepte mësim letërsinë dhe iu ndez dëshira për të hartuar një fjalor të fjalëve dhe të frazeologjisë së Naimit. I dolën rreth 200 faqe të daktilografuara. Më pas vijoi të bënte shtesa nëpër ato faqe dhe dyzet vjet e ca më vonë vendosi ta rivështronte punën, ta plotësonte e ta botonte. Siç shihet, u deshën edhe njëzet vjet të tjera, që vepra të shihte dritën e botimit. Në kësi rastesh shprehet ankesa për vonesën në daljen e librit, por më lejoni ta them, se pikërisht për raste të tilla nuk vlen përmendja e vonesës. Kuptimi i vonesës është kapërcimi i një afati të caktuar ose të kërkuar, ndërsa një punë e tillë nuk i nënshtrohet një afati, ajo ka vlerë të qëndrueshme përgjithnjë. Dhe vlera është e dyanshme: si për njohjen më të mirë të krijimtarisë së Naimit, për të kuptuarit dhe të shpjeguarit e saj, ashtu edhe për ecurinë e shqipes së shkruar. Nga kjo anë e dytë kemi këtu një vepër të leksikografisë historike.

Sot po bëhen përpjekje të ndryshme, sidomos me mundësitë që ka hapur teknologjia elektronike, për të hartuar korpusin e fjalëve të gjuhës shqipe. Fjalorë si ky i Dhimitër Shuteriqit u dalin përpara këtyre kërkimeve dhe ecin si bashkëplotësues, për një arsye thelbësore. Në një korpus mund të ndiqet prania e një fjale që nga ndeshja e saj e parë në burimet e shkruara, por kjo nuk përbën një pamje diakronike të leksikut. Sipas Dhimitër Shuteriqit leksiku i Naimit nuk i kapërcen 6-7 mijë fjalët dhe ky Fjalor konkretisht përmban rreth 4300 fjalë. Mund të duken pak, por këtu nuk ka rëndësi sasia, sepse ka rëndësi sistemi. Një fjalë nuk është e vetmuar, sepse kurdoherë bën pjesë në sistemin leksikor me shumë lidhje të ndërlikuara. Në rastin konkret, autori thotë se krijimtaria e Naimit përfshin vetëm 15 vjet si autor kryesor i Rilindjes shqiptare. Ndërkaq, do të shtoja se njësoj për 15 vjet përpara Naimit si autor kryesor ka qenë Kostandin Kristoforidhi, domethënë tashti kemi mundësinë të ndërmarrim studime për ecurinë e shqipes gjatë përpunimit të saj në penën e rilindësve. Për shembull, një studiues mund të zgjedhë mbiemrat te Naimi dhe t’i krahasojë me mbiemrat te Kristoforidhi; do të zbulohen dukuri që nuk gjenden me hamendësime. Besoj se kështu po e vërtetoj, që punimi i Dhimitër Shuteriqit nuk është vetëm rezultati i një kërkimi, por edhe pikënisje për kërkime të tjera të domosdoshme për leksikun e shqipes. Nga ana tjetër, kjo e bën të qartë nevojën që të vijohet në gjurmët e tij, në shembullin e tij, domethënë do ta quaja një pikënisje për një varg fjalorësh të tillë. Përgatitja e një korpusi nuk e bën aspak të padobishme përgatitjen e një vargu të tillë. Historianët e letërsisë ndoshta do të shprehen, që kjo nuk u intereson edhe aq shumë, por duke anuar nga gjuhëtarët, unë e quaj një fushë, që meriton vëmendje serioze më shumë se disa punime, që i bëjnë sot pasi lexojnë ndonjë libër nga gjuhëtarët e vendeve të tjera dhe nxitojnë ta imitojnë, duke shtuar ca shembuj të shqipes. Mos më detyroni të sjell ndonjë shembull, kur madje edhe shembujt e shqipes nuk janë të shqipes, por të përkthyer keq nga gjuha përkatëse.
 
290 faqe të Fjalorit i zënë fjalët, ndër të cilat janë përfshirë edhe variantet e ndryshme. Mund të duket se variantet janë të panevojshme, por kjo ka vlerë vetëm kur kërkojmë zbatimin e normës, ndërsa nga ana historike është e domosdoshme së pari, t’i njohim variantet, dhe së dyti, pas kësaj të vëmë re se cili variant ka fituar të drejtën e normës dhe të përpiqemi të japim një shpjegim nga ana e gjuhësisë. Më duket se kjo ka rëndësi edhe për të zbuluar prirjet që ka ndjekur gjuha e, ndoshta, do të na ndihmonte për të kapur edhe prirjet në ditët tona. Për këtë do të merrja si shembull ndajshtesaat e shqipes. Kemi mjaft shkrime për prapashtesat e shqipes dhe për praninë e tyre te autorë të ndryshëm, por mungon trajtimi i tyre nga pikëpamja e ecurisë, domethënë përse formimet me një prapashtesë fituan vendin në gjuhën e shkruar dhe përse të tjerat u mënjanuan. Me një krahasim pak të largët, do të pohoja se për ndajshtesat jemi ende në kohën e klasifikimeve të K. Lineut në botanikë dhe nuk kemi ecur drejt gjenetikës së sotme.

Autori i këtij Fjalori e thekson, se që përpara vitit 1956 kishte bërë një punë jo të vogël krahasuese të gjuhës së Naimit me atë të autorëve bashkëkohës dhe të autorëve të tjerë më të largët. Duke ndjekur këtë hulli, unë do të dëshiroja të bëhej krahasimi me fjalorët e sotëm të shqipes. Sigurisht, edhe po të bëhej kjo, nuk mund ta paraqisja këtu, prandaj më lejoni të marr vetëm një shkronjë me sasi të paktë njësish, shkronjën DH. Janë gjithsej 39 njësi. Kundrejt fjalësit të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe dalin këto konstatime. 26 janë në Fjalorin e vitit 1980. Prej atyre që nuk dalin janë 4 neologjizmat e pafat: dhemasje, dheshkronjë, dheshkronjës, dhetregonjë; dy janë emërtime etnike: dhanajtë dhe dhorinjtë. Ky i fundit është për dorët, të cilët në Fjalorin 1980 nuk dalin si leksemë më vete, ndërsa në ribotimin më 2006 është hequr nga shpjegimi përmendja si një nga fiset kryesore në Greqinë e vjetër, kështu shpjegimi ka mbetur “që ka të bëjë me dorët”, domethënë një fjalë shpjegohet me një fjalë tjetër të panjohur që nuk e ka fjalori. Besoj se Naimi na mëson, që nëse vëmë mbiemrin ‘dorik’, duhet ta vëmë edhe emërtimin e dorëve, ndërsa redaktimet e tipit të vitit 2006 janë jo përmirësuese, po përkeqësuese.

Pesë njësi janë emërtime të metaleve. Fjalën e parë Shuteriqi e ka shënuar ‘dhal’ si metali ‘dalium’, në të vërtetë Naimi e ka ‘thal’ dhe është taliumi, të cilin Fjalori më 1980 nuk e ka. Ma merr mendja se në një fjalor duhen emrat e tabelës së Mendelejevit, aq më tepër kur Naimi e paska që më 1888 për shkollat. ‘Dhori’ te Naimi është për toriumin, Shuteriqi e shpjegon vetëm si një lloj metali, po edhe këtë Fjalori i vitit 1980 nuk e ka. Dhidhym është për didimin, i cili kujtohej se ishte element kimik (Di), por doli se ishte pëzierje e praseodimit, që është element i thjeshtë, me lantanin, kështu që është i përbërë prej dy pjesësh, domethënë është binjak dhe ky është kuptimi i greq. didymos dhe lat. didymium. Edhe në botanikë përdoret për një lloj rrënje të dyfishtë. Dy emra metalesh: ‘dhimitër’ dhe ‘dhjan’ Shuteriqi nuk i ka përcaktuar dhe nga ana ime gjithashtu ka qenë e pamundur ta gjeja se cilëve elementë u përgjigjen.

Dy janë neologjizma të Naimit: darovëshumë dhe i dhenjtë. I pari është i një tipi të njohur te Naimi, si: fjalëshumë, gjumëshumë. I dyti është një mbiemër nga emri “dheu”, të cilin nuk e ka pasur shqipja e folur, por që ka dalë si i nevojshëm. Neologjizmi i Naimit nuk ka zënë vend, ndërsa nuk kanë munguar përpjekje të tjera. Jani Vretoja e kishte bërë i toktë, po neologjizmat e tij kanë qenë përgjithësisht jo të goditur. Petro Nini Luarasi e ka rikrijuar për kuptimin tokësor: jetën e dhenjtë (1911), sot me këtë kuptim Fjalori 1980 e ka në trajtën i dheshëm, ndërsa “Elçija” e kishte më 1905 me kuptimin konkret “tokësor” (rrjeta të dheshme dhe të ajrshme). Nevojën e mbiemrit sipas kuptimit të Naimit e ka ndier Mati Logoreci në vitet tridhjetë dhe ka krijuar i dhertë (enë të dherta). Ky variant i Logorecit ka më shumë gjasa të gjejë vend.

Së fundi, dhallanik është te Fjalori 1980, por quhet ‘lakror’, ndërsa po ky fjalor lakrorin e quan byrek me lakra etj., domethënë Shuteriqi e ka më drejt, që e quan byrek.

Më duket se edhe nga vështrimi i një shkronje me fare pak fjalë dalin një varg çështjesh kureshtare, të cilat e mbështesin pohimin e mësipërm, se një vepër e tillë shërben edhe si pikënisje për kërkime të tjera të domosdoshme për leksikun e shqipes.

Pas korpusit të fjalorit vijojnë nëntë sytha më vete. Pesë të parët janë për fjalët e rralla në shkrime, fjalë me kuptim të ri, fjalë të prejardhura, fjalë të përbëra dhe huazime ndërkombëtare. Në të gjitha këto drejtime ka nevojë për hulumtime të gjera dhe prandaj mund t’i quajmë një fillesë të mbarë te Shuteriqi, e cila po ashtu shtron, do të thosha, detyrën e vështirë për të çmpleksur jo pak nyja të korkolepsura. Po sjell edhe këtu ndonjë shembull. Është e saktë, që mbiemrin i dëlirë e ka J. G. Von Hahni më 1854, porse ajo dëshmohet 300 vjet më parë te Buzuku dhe po ashtu haset aty emri i gjuhës gërqishtja, ndërsa është në kapakun e përkthimit të Ungjillit të Mateut më 1824. Grykë nuk besoj se është marrë me kuptim të ri në gjeografi, sepse po atë kuptim ka në gjuhën e përditshme, kur themi për shembull: Gryka e Këlcyrës. Dritare natyrisht është neologjizëm i Naimit; ndërkaq nuk ka lidhje me dritarin e Kristoforidhit, sepse ky e ka sipas greq. fostir me kuptimin e yllit, trupit qiellor ndriçues.

Te fjalët ndërkombëtare të huazuara do të ndalesha përsëri për të përcaktuar metalet. Janë edhe 20 terma të tjerë, veç atyre që përmenda më sipër. Pjesën më të madhe të tyre i kam përcaktuar në trajtën e sotme, domethënë: banad është vanadi, bolfram është volframi e kështu më tej: erv = erbiumi, gal = galiumi, iridh = iridiumi, kadhëm = kadmiumi, kall = kaliumi, kovalt = kobalti, llandan = lantani, magnis = magnezi, niqel = nikeli, osëm = osmiumi, ruthin = ruteni, ruvid = rubidi, silisiym = silici, thelnium = taliumi, ytër = itriumi. Bie në sy që trajtat e Naimit janë marrë kryesisht prej greqishtes dhe vetëm ndonjë prej frëngjishtes.

Vijojnë më pas fjalët e urta. Janë me interes të padyshimtë dhe e vlen që emri i Naimit të përfshihet në gjurmuesit e proverba shqipe. Ndërkaq, edhe këtu nëpërmjet gjurmimeve mund të ndahen fjalët e urta popullore prej krijimeve të vetë Naimit, domethënë fjalët e mençura, aforizmat ose maksimat e tij. Për shembull Besë e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë; Fëmijët mos i bëni të qajnë, të meken e të ndehen; Njeriun e lartëson mendja dhe njerëzia më tepër se mbarim i trupit etj. janë padyshim formulime të tijat. Këto të mbledhura së bashku hyjnë në punë për të dëshmuar parimet e tij morale dhe atdhetare, me të cilat dëshironte të mbrunte ndërgjegjen e shqiptarëve, duke nisur që nga fëmijët.

Së fundi vijnë tre sytha me emra personash e vendesh. Ma merr mendja se i ka kërkuar shumë kohë e mund Shuteriqit për ta plotësuar atë listë të gjatë emrash të personave të huaj, veçse kjo është një dritare, nga ku shohim horizontin e gjerë të Naimit.

Duke i përmbledhur të gjitha këto anë që i preka, krijohet një bindje e argumentuar, se vepra e Dhimitër Shuteriqit “Fjalori i Naim Frashërit” është jo një libër për ta lexuar, por një mjet pune i pazëvendësueshëm për cilindo, që dëshiron të punojë në fushën e filologjisë shqipe. Prandaj meritojnë përgëzime të ngrohta gjithë ata që punuan për ta nxjerrë në dritë dhe, pa dyshim e para, Mira Shuteriqi.

Tiranë, 12 nëntor 2018. XHEVAT LLOSHI
 
Back
Top