- Regjistruar
- 12 Shkurt 2018
- Komente
- 12,377
- Reagimet
- 8,749
“FJALORI I NAIM FRASHËRIT” NGA DHIMITËR SHUTERIQI
Për shkak të rrethanave të njohura historike, në fillimet e letërsisë artistike shqipe shkrimtarëve tanë u është dashur që të kryenin dy detyra njëkohësisht: të krijonin vepra letrare dhe të ndërtonin gjuhën e shkruar shqipe, gjuhën letrare. Në vend të shpjegimeve të hollësishme, mund të bëj vetëm një krahasim jo aq të zakonshëm. Në kohën kur shkrimtarët europianë gjatë shekullit XIX përpunonin rryma të ndryshme letrare, të themi romantizmin, realizmin, natyralizmin, simbolizmin e kështu më tej, autorëve shqiptarë u duhej ta nisnin me alfabetin dhe me ngritjen e dialektit të vet në shkallën e gjuhës së shkruar. Për këtë arsye historitë e letërsisë shqipe rregullisht nisin me trajtimin gjerësisht të historisë së shkrimit të shqipes, prandaj edhe historianët e letërsisë kanë qenë mirëfilli filologë. Mjafton të përmend se Eqrem Çabej librin e parë e titullonte Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Mahir Domi ishte ndër autorët kryesore të historisë së letërsisë shqipe, Shaban Demiraj e ka filluar me gjuhën e Varibobës e të Sami Frashërit. Në këtë varg të filologëve tanë të njohur bën pjesë edhe Dhimitër Shuteriqi, i cili ka qenë autori i teksteve të para për shkollën e mesme pikërisht të historisë së letërsisë.Do të shtoja edhe një anë tjetër. Për një shekull e gjysmë te lëvruesit e shqipes ka zotëruar mendimi, se shqipen letrare, atë që sot e quajmë gjuhë standarde, do ta vendoste vepra e një autori të shquar, siç vlerësohej se kishte ndodhur me Dante Aligierin, që kishte hedhur themelet e italishtes letrare. Një nga pasojat e këtij vështrimi ka qenë edhe vlerësimi i veçantë i rolit të letërsisë, të shkrimtarëve në ecurinë e gjuhës letrare. Për këtë arsye deri më sot punimet parësore për gjuhën, siç janë studimet, gramatikat dhe fjalorët i kanë marrë shembujt kurdoherë nga veprat letrare dhe jo nga shkrimet shkencore, nga publicistika, dokumentet e veprimtarisë shtetërore dhe të tjera. Për këto arsye më duket nuk qëndron mendimi i përhapur, se kemi mangësi në studimin e gjuhës së shkrimtarëve. Kjo vërejtje mund të vlente për shkrimtarët e sotëm, të periudhës së shqipes së sotme, por jo për etapat e mëparshme.
Gjithsesi, këtu është fjala për një botim të ri nga Dhimitër Shuteriqi, botim i cili mund të kujtohej pak i papritur nga pena e tij. Shuteriqi nuk ka marrë pjesë në hartimin e fjalorëve të ditur, por ai është autori i një vepre leksikografike të pakapërcyer, me titullin Fjalë nga leksiku i shqipes para Buzukut (879-1553), që ka dalë në “Studime filologjike” (katër numra më 1981, dy më 1982 dhe një më 1983). Nga ana tjetër, për Naim Frashërin ai ka filluar të shkruante qysh më 1946 dhe ka botuar 17 shkrime të ndryshme, duke përfshirë edhe vëllimin për jetën dhe veprën e Naimit më 1982. Kuptohet që është i mirëpritur ky botim i ri në rrjedhën e një pune të gjatë, për të cilën mund të thosha se qenka një vazhdim edhe pasi autori është ndarë nga jeta. Nga ana tjetër, edhe vetë hartimi i këtij fjalori paska kërkuar një punë mjaft të gjatë.
Siç mësojmë nga Parathënia e autorit, shtysën për t’iu përveshur një sipërmarrjeje të tillë e paska ndier që me ngritjen e Institutit Pedagogjik, kur nisi të jepte mësim letërsinë dhe iu ndez dëshira për të hartuar një fjalor të fjalëve dhe të frazeologjisë së Naimit. I dolën rreth 200 faqe të daktilografuara. Më pas vijoi të bënte shtesa nëpër ato faqe dhe dyzet vjet e ca më vonë vendosi ta rivështronte punën, ta plotësonte e ta botonte. Siç shihet, u deshën edhe njëzet vjet të tjera, që vepra të shihte dritën e botimit. Në kësi rastesh shprehet ankesa për vonesën në daljen e librit, por më lejoni ta them, se pikërisht për raste të tilla nuk vlen përmendja e vonesës. Kuptimi i vonesës është kapërcimi i një afati të caktuar ose të kërkuar, ndërsa një punë e tillë nuk i nënshtrohet një afati, ajo ka vlerë të qëndrueshme përgjithnjë. Dhe vlera është e dyanshme: si për njohjen më të mirë të krijimtarisë së Naimit, për të kuptuarit dhe të shpjeguarit e saj, ashtu edhe për ecurinë e shqipes së shkruar. Nga kjo anë e dytë kemi këtu një vepër të leksikografisë historike.
Sot po bëhen përpjekje të ndryshme, sidomos me mundësitë që ka hapur teknologjia elektronike, për të hartuar korpusin e fjalëve të gjuhës shqipe. Fjalorë si ky i Dhimitër Shuteriqit u dalin përpara këtyre kërkimeve dhe ecin si bashkëplotësues, për një arsye thelbësore. Në një korpus mund të ndiqet prania e një fjale që nga ndeshja e saj e parë në burimet e shkruara, por kjo nuk përbën një pamje diakronike të leksikut. Sipas Dhimitër Shuteriqit leksiku i Naimit nuk i kapërcen 6-7 mijë fjalët dhe ky Fjalor konkretisht përmban rreth 4300 fjalë. Mund të duken pak, por këtu nuk ka rëndësi sasia, sepse ka rëndësi sistemi. Një fjalë nuk është e vetmuar, sepse kurdoherë bën pjesë në sistemin leksikor me shumë lidhje të ndërlikuara. Në rastin konkret, autori thotë se krijimtaria e Naimit përfshin vetëm 15 vjet si autor kryesor i Rilindjes shqiptare. Ndërkaq, do të shtoja se njësoj për 15 vjet përpara Naimit si autor kryesor ka qenë Kostandin Kristoforidhi, domethënë tashti kemi mundësinë të ndërmarrim studime për ecurinë e shqipes gjatë përpunimit të saj në penën e rilindësve. Për shembull, një studiues mund të zgjedhë mbiemrat te Naimi dhe t’i krahasojë me mbiemrat te Kristoforidhi; do të zbulohen dukuri që nuk gjenden me hamendësime. Besoj se kështu po e vërtetoj, që punimi i Dhimitër Shuteriqit nuk është vetëm rezultati i një kërkimi, por edhe pikënisje për kërkime të tjera të domosdoshme për leksikun e shqipes. Nga ana tjetër, kjo e bën të qartë nevojën që të vijohet në gjurmët e tij, në shembullin e tij, domethënë do ta quaja një pikënisje për një varg fjalorësh të tillë. Përgatitja e një korpusi nuk e bën aspak të padobishme përgatitjen e një vargu të tillë. Historianët e letërsisë ndoshta do të shprehen, që kjo nuk u intereson edhe aq shumë, por duke anuar nga gjuhëtarët, unë e quaj një fushë, që meriton vëmendje serioze më shumë se disa punime, që i bëjnë sot pasi lexojnë ndonjë libër nga gjuhëtarët e vendeve të tjera dhe nxitojnë ta imitojnë, duke shtuar ca shembuj të shqipes. Mos më detyroni të sjell ndonjë shembull, kur madje edhe shembujt e shqipes nuk janë të shqipes, por të përkthyer keq nga gjuha përkatëse.