(pjesa 2)
Le të ndalemi konkretisht në disa prurje të kësaj vepre:
Dukuri të ndërtimit të makrostrukturës fjalësit shqip
1. Në Fjalor gjejmë fjalë të mbarë shqipes, duke i dhënë përparësi variantit toskë të tyre. Po japim këtu për ilustrim nga një njësi për çdo kategori leksiko-gramatikore: emër, mbiemër, folje ndajfolje, përemër, numëror, pjesëz, pasthirrmë, lidhëz. Duhet të theksojmë se autori brenda një leme që referon te një pjesë e ndryshueshme e ligjëratës, ka dhënë elemente të shumta të paradigmës së eptimit të saj, duke ndihur jo pak ata që kërkonin të mësonin shqipen.
Foshnjë f. infant, baby, foshnja the infant, foshnja-t pl.
I, e vogël small, little, djal’i vogël small boy, goce e vogël little girl.
Vij I come, vjen he comes, vijmë we come, vini you come, vijnë they come.
Dreq direct, dreq për dreq directly.
Vetë, vet self. Ne vetë we ourselves, ay vetë he himself. vetvetiu automatically, by itself or himself. vetë dora the same, himself.
Pesë five. e pesta f. the fifth. I pesti the fifth. m. pesëmbëdhjet fifteen. pesëdhjet fifty. Pesë qint five hundred.
Sepse because, for this reason. See also se.
Duke ndjekur linjën e pasqyrimit të njësive sipas fjalëformimit dhe jo sipas fushave tematike, në Fjalorin... e Nelo Drizarit, kanë zënë vend emra veprimi, emra vepruesi, mbiemra prejpjesorë, por jo gjithnjë në mënyrë sistemore: diku dalin si zëra leksikografikë të veçantë, por të vendosur saktë alfabetikisht, pas foljes gjegjëse, si: i e çmëndur, e, i çquar, i e shtyjtur (person i shtyjtur), i e trëmbur, i e vdekur, i e ushqyer etj.; diku tjetër dalin si nënzëra (brenda një zëri tjetër me lidhje derivimi). Kështu, te fryj jepet edhe i fryrë, te fshik jepet edhe i fshikur, te ftohem jepet i ftohur, te grij jepet edhe emri i veprimit të grirët, edhe mbiemri i grirë, te çel jepen edhe emrat e veprimit të çelur / çelje, edhe mbiemri i çelur, te çpërdor jepet i e çpërdorur, te mëritoj jepet i e mërituar etj.
Një dukuri tjetër që bie në sy në Fjalor, është se autori jep shumë njësi të derivuara dhe nuk jep fjalët që kanë shërbyer si tema fjalëformuese dhe motivuese. Këtu po përmendim: jepen dy njësi frazeologjike me kuturi,-a (bëj një kuturi, e marr me kuturi), por jo kuturis; jepen i e shurdhër, shurdhoj, shurdhohem, por jo shurdh etj.; epen mbiemra prejpjesorë pa folje, nga pjesoret e të cilave janë krijuar, si i e frymuar. Nganjëherë jepet emri i veprimit dhe mbiemri prejpjesor, por nuk jepet folja nga janë formuar, si turbull, turbullim, i e turbulluar; rrënxim, i e rrënxuar; pikëllim, i e pikëlluar etj.
Me interes studimor janë edhe disa mbiemra lëndorë, si i dhirtë (gun' e dhirtë), e leshtë (gun' e leshtë), e grynjë (buk' e grynjë), e misërt (buk' e misërt), e thekërrt ( buk' e thekërrt), e elbët ( buk' e elbët) etj.
Në fjalor ka shumë emra abstraktë, por leksiku dituror identifikohet me një numër të vogël njësish, fjala vjen kemi the edukation por jo edukim dhe
edukatë, fjala e anglishtes është dhënë në shqipe me arësim (një semantikë që po fiton terren të gjerë sot në literaturën pedagogjiko-shkollore në Shqipëri).
Si lema të veçanta në Fjalor dalin dhe emra në numrin shumës që tregojnë lloje dhe që e formojnë këtë kategori me prapashtesën -ra, si arsyera.
2. Nuk mungojnë në Fjalor edhe njësi të dialektit gegë, të cilat autori i ka shenjuar me shkurtesën G. (gege) dhe G. loc., kur i sheh si krahinore gege (gegë localism).
Burrëri f. manhood. burrëria the manhood. (G. burrëni, burrënia)
Mëna f. mullberries. mëna ferre blackberries. (G. mana).
Nëmë f. curse, anathema, damnatiton. nëma the curse. see mallkim. (G. namë).
Né we. ne jemi këtu we are here. see neve. (G. na)
Verë f. wine. vera the wine. verëra-t pl. (G. venë)
Tek-tuk gjejmë edhe dy emërtime për një nocion, që dalin si fjalë titull dhe në toskërishte dhe në gegërishte, por njësinë në gegërishte e çon me referim të fjala / sinonimi në toskërishte.
Gaforrë f. crab. (G) see gërthje.
Gërthje f. crab. Gërthja the crab. Gërthje-t pl. (G. gaforrë, gaforra)
Dam (G). see dëm.
Dëm m. damage. Dëmi the damage. Dëme-t pl... (G. dam, dami, dame-t).
Pupël f. feather (G.). see pëndë.
Pëndë f. feather. 2. Pen. (for writing). (G. pupël). Pënda the feather, pen. Pëndë-t pl.
Jepen dhe fjalë me përdorim krahinor të ngushtë: Golë (Col.- confined to lokal usage: lokalism – krahinore) see gojë.
Gjithnjë, në linjën e paraqitjes së pasurisë leksikore të shqipes si gjuhë e parë në Fjalor, në fjalësin e veprës kanë zënë vend disa fjalë që autori i sheh si të të folmeve arbëreshe (IA -Italo-Albanian - Italo -Shqipëtare), si cikë (çikë, pak, ca), gjegj (dëgjoj), gjegjem (përgjegjem) etj.
3. Fjalori ka në brendësi të mikrostrukturave shumë njësi leksikore, që autori nuk i ka nxjerrë si lema, si fjalë tituj. Ato edhe pse janë një pasuri jo e vogël njësish, do të përbënin një vlerë të shtuar për makrostrukturën e veprës. Nuk e kuptojmë këtë konceptim të paraqitjes së fjalëve të shqipes në një fjalor dygjuhësh, në një kohë që anglishtja, si gjuhë e dytë e lehtësonte autorin për ta dhënë fjalën shqipe në rastin në shqyrtim si zë të veçantë dhe jo si një nënzë apo si element leksikor të një çerdheje fjalëformuese. Si nënzëra dalin fjalë të prejardhura (te Lopë, gjen edhe lopar, lopare; te Shëndet gjen dhe i shëndetshim, e shëndetshme); fjalë të përngjitura (te mes / mez gjen mesdheu, mesdeti, mesnate, mes-per-mes); fjalë të përbëra (te Ditë gjen ndër të tjera ditëmirë, ditëzi, ditëzezë, ditëbardhë, ditëgjatë etj.); jo rrallë në një zë autori përfshin njësi me tipologji formimi të ndryshme, si te Buzë, gjen edhe buzëqesh, buzëqeshje, buzëplasur, i e buzëqeshur.
Numri i njësive që ndërtojnë fjalësin shqip të veprës do të rritej jo pak, po të ishin nxjerrë si fjalë-titull edhe shumë fjalë të përbëra (kompozita), si: gojë-lik, gojë-ligë vulgar (filthy mouth); gojë-ëmbël soft spoken, resonant voice; gojë-artë golden speech; gojë-math big gossip, talkative; zëmër-bardhë good-hearted, good-fellow, meaning well; zëmër-gur hard-hearted, stone-hearted; zëmër-gjerë, zëmër-lik, zëmër-kthiellt etj.
4. Nelo Drizari ka shenjuar një grup njësish si neologjizma leksikorë (N-neologism - neollogjismë, fjal' e re), duke u dhënë një vend të merituar fjalëkrijimeve me brumin e vetë shqipes, por duke na dhënë edhe një informacion të nevojshëm dhe të domosdoshëm për kohën kur janë krijuar apo, më saktë, kur kanë zënë vend në një vepër leksikografike, qoftë kjo edhe e llojit në të cilën jemi ndalur, e botuar jashtë territorit të Mbretërisë Shqiptare. Po përmendim këtu e përkohëshme, përkrah, përkthej, përkthim, përkthenjës / përkthyes, përkundrazi, përmbaj, përmbajtje, përmendore, përmirësoj, përqas, përqasje, përqint, përqindje, përshkruaj, nënëdorë, nënëshkrim, i nënëshkruari, e nënëshkruara, njerëzisht, njerëzore, shtypi, shtypshkronjë, veçor, veçore etj.
Ndonjë njësi e jep me mëdyshje si neologjizëm, si afërditë (N?) see zbardhëllim, agim, mënguar. Kuptohet që këtu nuk bëhet fjalë për planetin, por për çastin e largimit të natës dhe ardhjes së ditës, çast të cilin autori e jep me dy emra sinonimin Holyw dhe gabimisht me një ndajfolje prejpjesore.
5. Në Fjalor gjejmë jo pak njësi frazeologjike, por të pashenjuara si të tilla apo si idioma. Një pjesë dërrmuese e tyre dalin me funksion sintagmatik, ilustrues dhe, pandashëm, dhe me funksion shënues e konotativ: s'është e udhës, heq udhë, nuk më bie nër mënt, tani më bie nër mënt, bie erë, më bie udha, i bie pas, më bie në qafë, jam në bukë, jam në bukë të Guvernës, e kam në dorë, më dolli nga dora, s'më vjen n'doresh, dorë e parë, dorë e dytë, i mora dorën, më ra në dorë, vë dorën në zemër, jap dorë, heq dorë, dorë më dorë, i ndër dorën, nga der’ e madhe etj.
Ndonjë njësi frazeologjike del edhe si zë i veçantë leksikografik, si bie fjala - so to speak, as saying goes; ka të ngjarë - it is possibile (see mundet) etj.
6. Në fjalor gjejmë jo pak emërtime të pathjeshta, të quajtura ndryshe edhe emërtime togfjalëshore.
Kaposh deti turkey m. see gjel.
Kartë poste f. postal kard.
Mëlçi e bardhë lung. Mëlçi të bardha lungs, see also mulçi.
Edhe pse anglishtja ka në strukturën e vet leksikore shumë emërtime me të tilla dhe që në fjalorët e vet, një- e dygjuhësh u jep vend jo të vogël këtyre njësive, në pjesën e dytë të fjalorit të Drizarit, ku shqipja është gjuhë e dytë, janë dhënë shumë pak emërtime të pathjeshta. Po përmendim disa syresh:
Mother tongue gjuha amëtare, gjuha e mëmës; Holy Spirit Fryma e shenjtë; Holy Week Java e shenjtë (para Pashkëve); Chief Executive Kryetari i Shtetit, Kryezyrtar etj.
Madje këtu gjen dhe emërtime institucionesh apo organizmash të ndryshëm, si League of Nations Lidhja e kombeve; Junior American Red Cross Kryqi i Kuq Amerikan i të rijve; Holy Roman Empire Perandoria e Shenjtë Romane etj.
7. Si zëra leksikografikë në Fjalor jepen edhe emërtime gjeografike, si njësi toponomastike, qofshin emërtime njëfjalëshe, qofshin emërtime të pathjeshta, sidomos dygjymtyrëshe, etj. (emra shtetesh: Gjermani, Greqi, Greqi e Vjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumani etj.; emra qytetesh: Vlora, Durrësi; emra malesh: Tomorri; emërtime krahinash: Malësia e Madhe, Malësi e vogël), njësi onomastike (Gjerq Kastrioti - Scanderberg),
8. E shtojnë numrin e njësive në makrostrukturën e shqipes edhe njësi të etnokulturës, sidomos emërtime të festave të ndryshme (Matem), të ditëve të shënuara (Ditë e shënuar / e kremte, dit' e shënjtë / holy or sacred day) apo tek tuk edhe ndonjë fjalë të urtë (siç thotë autori, slang - fjalë e unjët).
9. Gjithashtu në Fjalor kanë zënë vend edhe emërtimet për ditët e javës, si e Hënë, e Martë, e Enjte / e Ënjte, e Premte, e Shtunë, e Dielë / e Djelë. Mungon emërtimi e Mërkurë; emërtimet për muajt e vitit, si Jenari, Shkurti, Marsi, Prilli, Maji, Qershori, Korriku, Gushti, Shtatori (që jepet me sinonimin Vjeshtë e Parë). Mungojnë emërtimet e shqipes së sotme (kalket) Tetor, Nëntor, Dhjetor. Për to gjejmë përkatësisht emërtimet e pathjeshta Vjeshtë e Dytë / Vjeshtë e Mesme, Vjeshtë e Tretë / Vjeshtë e Prasme dhe Shën-Endre.
10. Si lema të veçanta dalin dhe disa etnonime, të cilat lidhen me pakicat kombëtare apo kulturore që jetonin në Shqipëri a që lidheshin më historinë e shqiptarëve, si dhe me emërtimet e popujve e vendeve fqinje me vendin tonë, si gogë (kucovllah), grek, vllah, shqah.
Por etnonimet jo gjithnjë dalin si fjalë titull. Nganjëherë, ata dalin në çerdhe ku jepen emri i shtetit, emërtimi i popullit dhe emërtimi i gjuhës që flet ky popull: Ingli / Inglia (England), Inglis (Englishman), inglisht (English language).
11. Një anë tjetër e vlerësueshme e Fjalorit është dhënia e burimorësisë së fjalëve të huazuara: (NE) from English - nga anglishtja, (NF) from French - nga frëngjishtja, (NI) from Italian - nga italishtja. Kjo mundëson studimet të mëtejshme për parë jo vetëm gjuhën dhënëse, por edhe kohën e rrugën e hyrjes së tyre në shqipe, përkatësinë e ligjërimit apo te stilit, zhvillimet fjalëformuese apo semantike, shtrirjen territoriale apo dendurinë e përdorimit, ngulitjen apo mundësinë e zëvendësimit me një fjalë shqipe etj.
Por duhet të theksojmë se siç vërehet lehtë, autori i Fjalorit, u është referuar vetëm huazimeve bashkëkohore në shqipe dhe më konkretisht atyre nga gjuhët perëndimore. Nuk kemi shenjim apo ndonjë markim tjetër për huazimet turke / orientale apo për ato më të hershmet, greke, latine e sllave.
12. Vepra e N. Drizarit,“Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary”, ka jo rrallë herë edhe
elemente të një fjalori çerdhor. Edhe pse ato nuk janë ngaherë sistematike dhe konsekuente, mbartin vlera, sepse tregon konceptin e qartë të autorit për ta dhënë një fjalë jo të izoluar, të shkëputur, por në çerdhe paradigmatike fjalëformuese, duke ndjekur lidhjet morfematike dhe semantike. Madje shumë njësi që përfshihen në një çerdhe, janë lema të mëvetësishme që nuk dalin si zëra të veçantë leksikografikë. Megjithëse, nga pikëvështrimi i sotëm, kjo duket si mangësi, vepra duhet vlerësuar edhe për këtë përbërës, sepse rrit jo pak numrin e fjalëve të fjalësit shqip. Po japim për ilustrim:
Te Balë (patch of white hair on black or brown livestock) gjenden dhe Balash (ox or bullock, horse having white spot or spots on forehead) e Balashe ( cow or heifer mare having white spot or spots on forehead); te folja ftoj gjejmë: Ftoj I invite. ftova I invited. / i, e ftuar invited / ftesë invitation; te mbiemri i mëngjër: I mëngjër left, left-handed / dorë e mëngjër left hand / dor’ e djathtë right hend / mëngjarash left-hand; te Bashkë (together, united, joined) jepen edhe bashkëpunëtor (cooperator, collaborator), bashkëpunim (cooperation, collaboration), bashkëpunëtore (cooperator, collaborator); Te numërori katër: Katër four / i katërti the fourth / e katërta the fourth / katërmbëdhjet fourteen, / katërdhjet forty (G.) see dyzet, / katër qint four hundred / katër mijë 4,000 / një e katërt one fourth.
Madje në Fjalor ndesh shpesh dhe një sistemësi fjalëformuese. Pra autori, jo vetëm e njeh pasurinë leksikore të shqipes, por dhe ligjësitë e formimit të fjalëve, si dhe produktin e këtij procesi. Kështu emri zemër (zëmër) ka krijuar folje zemëroj (zëmëroj), nga folja është krijuar vetvetorja, emri i veprimit, mbiemri prejpjesor, janë krijuar fjalë të përbëra apo njësi frazeologjike.
zëmër, zemër f. heart. zemëra the heart. zëmëra-t pl. (G. zamën).
më theu zëmërnë he, she disappointed me, he offended me.
më këputi zëmërnë he, she broke my heart.
e dua me gjithë zëmër I love (or like) her or him with all my heart.
m’a do zëmëra I am fond of it.
me gjithë zëmër with all my heart, willingly.
zëmër-bardhë good-hearted, good fellow, meaning well.
zëmër-gur hard-hearted, stone-hearted.
zëmër-gjerë tolerant. 2. generous.
zëmër-lik wicked, vicious, bad.
zëmër-kthiellt sincere; pure at heart.
zëmërak m. irascible, irritable; touchy. zëmëraku the irascible person.
zëmërake f. irascible, irritable. zëmërakja the irascible person.
zëmërim m. anger. 2. temper. zëmërimi the anger, temper.
zëmërohem I become angry, temperamental.
zëmëroj I anger somebody, 2. offend. zëmërova I angered somebody.
i, e zëmëruar angry, angered, offened.
Edhe pse është Fjalor dygjuhësh dhe me karakter të theksuar praktik, vepra “Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary”, mbart edhe elemente të relacioneve semantike brenda mikrostrukturave të njësive titull.
Tek–tuk ndeshim edhe relacionin e polisemisë dhe, shpesh, atë të sinonimisë.
a. Nga rastet e fjalëve shumëkuptimëshe po japim nja dy shembuj:
Grykë f. throat. 2. george. 3. neck. Gryka the throat.
gungë f. knot. 2. hard shell. 3. walnit with hard shell. gunga the knot. gunga-t pl. see also xhungë.
b. Sinonimia është e shtrirë gjerësisht në shpjegimet ose në dhënien e barasvlerësit të fjalës në gjuhën e parë. Kështu sinonimia nga anglishtja është mbizotëruese në marrëdhëniet fjalë shqipe – fjalë anglishte, si dhe anasjelltas, sinonimia në shqipe është mbizotëruese fjalë anglishte – fjalë shqipe:
drama f. drama, play.
I gjori the unlucky, the unfortunate.
Pushtoj I occupy, seize, dominate.
Tease (tiz) qesëndis, gërcmoj, ngas.
Leash (llish) kamxhik; purtekë, frushkull.
Nganjëherë sinonimia leksikore, sidomos ajo e anglishtes që del si varg sinonimik, shfaq pasaktësi konceptuale leksikore, sepse në varg përfshihen njësi me përkatësi leksiko-gramatikore të ndryshme, të cilat nuk mund të pranohen as si sinonimi okazionale. Kështu për foljen shqipe arrin jep ndajfoljen enough dhe madje e çon përdoruesin te vargu sinonimik i shqipes del, aqë, mjaft. Shihet se ndajfolja aqë është nxjerrë jashtë kontekstit të përdorimit, fjala vjen Aqë! Mos hidh më se arrin (mjafton). Kurse ndajfolja mjaft ka zënë vendin e foljes mjafton. Madje autori këtu nuk arrin të dallojë rrudhosjen për shkak të ekonomisë gjuhësore të gjymtyrë të fjalisë në komunikim, sepse këtu nuk kemi fjalë jashtë përdorimit (jashtë kontekstit, që është kriteri kryesor i ndërtimit të një zëri leksikografik), por merr një fjali të paplotë (mungesore) si lemë leksikografike.
Gjithashtu, te sinonimia lemore gjejmë raste që lënë për të dëshiruar. P.sh., ashtu njëjtëson me kështu: ashtu thus, that way, so. see also kështu. Tullë e njëjtëson me tjegull.
Autori ka meritën se kërkon të diferencojë semantikisht disa njësi leksikore. Barsë pregnant (only for animals). see me barrë, mbarsë. Me barrë pregnant (women or young women only). see mbarsë.
13. Fjalori shqip - inglisht dhe inglisht - shqip (Albanian - English and English - Albanian Dictionary) i Nelo Drizarit, vlerësohet edhe për sintagmatikën. Ndonëse është dygjuhësh, i një vëllimi të vogël, i hartuar në mungesë të një tradite të konsoliduar për vepra që lidhen me anglishten e shqipen, si dhe nga funksioni praktik, çka justifikojnë sasinë e cilësinë e
thënieve ilustruese pranë zërave leksikografikë, fjalori ka sendërtuar një punë deri diku të kujdesshme të autorit.
Pranë zërave të ndryshëm gjejmë ilustrime që mund të përfshihen në disa grupe: thënie të thjeshta, që dalin si struktura minimale e tregojnë jetën e fjalës në mënyrë lehtësisht të rrokshme; emërtime togfjalësha, në të cilat fjala titull është pjesë e pandashme e emërtimit; njësi frazeologjike, në të cilat fjala titull del si gjymtyrë kryesore motivuese, urime, betime, mallkim etj.
Kuptohet që në një vepër që mbart gjurmët e kohës (mungesa e një tradite të konsoliduar në leksikografinë dygjuhëshe anglisht – shqip e shqip – anglisht, mungesa e një fjalori shpjegues të shqipes, autori nuk ishte leksikograf etj.), parë nga ditët e sotme, mund të gjesh pasaktësi të tipologjive të ndryshme. Në nuk jemi ndalur në këtë prerje. Synimi ka qenë të nxjerrim në pah disa nga vlerat e saj.
Së fundi, duhet të nënvizojmë së Fjalori ka rëndësi të madhe, se tregon rrugën në të cilën eci leksikografia shqip-anglisht dhe anglisht-shqip, si dhe vetë leksikografia shqipe, tregon një gjendje të caktuar të leksikut të shqipes (vjelë nga vepra të ndryshme, sidomos leksikografike dygjuhëshe, nga formimi i tij si gjuhëtar, si gazetar etj.), dhe mbi të cilin mund të ndërmerren studime leksikore, semantike, morfologjike, dialektore, historike, etnolinguistike krahasuese etj.