Leksikografia anglisht shqip

Shefi

Ushtar elitar
Anëtar Stafi
Regjistruar
22 Janar 2018
Komente
2,527
Reagimet
1,640
Kjo temë erdhii me vonesë në forum, edhe njëlloj si fjalorët në anglisht.
Këtu do shtojmë listën dhe informacionet e fjalorëve të anglishtes.
 
Në përmbledhe për fjalorët e anglisht e ka bërë prof. Shykrane Germizaj


RRETH FJALORËVE ANGLISHT –SHQIP
[Pjesa e parë)
Anglishtja me shqipen komunikojnë përmes fjalorëve, numri i të cilëve është i lakmueshëm, përkundër faktit se këto gjuhë nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta. Edhe pse komunikimi i këtyre dy gjuhëve daton afërsisht nga fillimi i shekullit XIX,1 fjalorët e parë që mund të quhen fjalorë praktikë të anglishtes, i kemi vetëm në shekullin XX.

Viti 1915 në leksikografinë shqiptare shënohet me botimin e fjalorit të parë anglisht - shqip. Ky fjalor është hartuar nga Dennis J. Kambury (Denis J. Kamburi) me titull English-Albanian Dictionary (Fjalëtar anglisht-shqip), i botuar në Jamestown, New York (Xhejmstaun, Nju Jork).

Autori i këtij fjalori, duke qenë edhe vet mërgimtar në SHBA, i dinte mirë mundimet e shqiptarëve të mërguar në Amerikë dhe vështirësitë me të cilat ballafaqeshin në dhe të huaj, gjuhën e të cilit nuk e dinin. Kjo qe arsyeja vendimtare që e shtyri ta hartonte fjalorin, në mënyrë që t’u ndihmonte bashkatdhetarëve që sa më shpejt ta mësonin gjuhën angleze dhe sa më lehtë t’i adaptoheshin jetës së re në rreth të ri.

Motivet e Kamburit e kanë përcaktuar edhe karakterin e fjalorit të tij. Është, pra, një fjalor xhepi dhe ka qëllime praktike. Edhe vëllimi i fjalorit (përfshin rreth 6 500 – 7 000 fjalë) dëshmon qëllimin e tij, meqë kufizohet vetëm në fjalët që janë të domosdoshme për komunikim të përditshëm. Pjesa shqipe e tij është shkruar në dialektin toskë, dhe në të vërehet ndikimi i të folmeve të Korçës.2

Në vitin 1923 u botua Fjalori i Çekrezit.3 Dalja në dritë e këtij fjalori u kushtëzua nga arsyet e njëjta që e patën kushtëzuar edhe Kamburyn të hartonte fjalorin e tij. Pra, edhe Fjalori i Çekrezit ka qëllime praktike dhe i dedikohet “shkollarit e emigrantit”, siç thotë Faik Konica në Parathënie.
Edhe vetë Çekrezi e përkufizon karakterin e Fjalorit duke thënë, “…ky fjalor është punuar kryesisht për punëtorët e ndryshëm dhe jo për gjuhëtarë e filologë, qëllimi ynë ka qenë ta bënim sa më praktikë që të jetë e mundur.”4

Fjalori i Çekrezit është një fjalor me çerdhe fjalësh, dhe në 192 faqe, sa i ka ai, përfshihen rreth 15 000 fjalë, së bashku me ato të çerdheve. Prandaj, mund të merret si një fjalor xhepi i tipit të vogël. Për shtyllën e anglishtes vërejtje mund të bëhet për strukturën e fjalësit. Nëse kihen parasysh qëllimet e Fjalorit dhe synimet e autorit, fjalësi i tij del mjaft i mangët, pasi në të nuk përfshihen shumë fjalë që kanë denduri të madhe përdorimi. Nga ana tjetër, në fjalësin e tij kanë hyrë shumë fjalë që, sipas mendimit tonë, nuk kanë qenë të domosdoshme, kur merret parasysh tipi dhe qëllimet e Fjalorit.

As shtylla e transkriptimit të fjalëve të këtij fjalori nuk është pa të meta. Me zëvendësimet që autori bën gjatë shënimit të fonemave të anglishtes me shkonjat e alfabetit të shqipes, jo rallë, vështirësohet e shtrembërohet shqiptimi i fjalëve angleze.

Sa i përket shtyllës së shqipes, edhe Fjalori i Çekrezit, sikurse ai i Kamburyt, mbështetet në dialektin toskë, në të cilin është present ndikimi i të folmes së Bilishtit.5

Mirëpo, në Fjalorin e tij, Çekrezi ndjek një rrugë tjetër. Në rastet kur nuk mund të sigurojë fjalë ekuivalente për fjalët angleze, ai krijon një varg neologjizmash individuale. Me këtë punë Çekrezi largohet nga gjuha e gjallë, e kuptueshme për shfrytëzuesit potencialë të fjalorit, si dhe nga synimet e tij. Megjithatë, duhet thënë se ky Fjalor ka kryer shërbimin e vet në kushtet e rrethanat në të cilat është hartuar dhe ka parë dritën.
Duhet pranuar se është vështirë të gjykohet një fjalor pas më shumë se një gjysmë shekulli. Sot kur atij mund t’i bëhen shumë vërejtje, nuk
duhet harruar rrethanat në të cilat është hartuar, e as të mohohet roli të cilin e ka patur në jetën e shqiptarëve të mërguar në Amerikë.

Edhe Fjalori i Drizarit6 na del si me format xhepi. Llogaritet se ka rreth 6 000 fjalë, mirëpo, meqenëse si fjalë të mëvetësishme radhiten shumë trajta të ndryshme të fjalëve të njëjta si b.f. trajtat vetore të foljeve, të diatezave, etj. fondi real i fjalëve që përfshihen në Fjalor padyshim është më i vogël.

Do të pritej me të drejtë që Drizari me Fjalorin e tij t’ua kalonte paraardhësve të tij Kamburyt dhe Çekrezit dhe të hartonte një fjalor në të cilin nuk do të përsëriteshin gabimet që janë hetuar në fjalorët e përmendur, mirëpo, për çudi, ngjau e kundërta. Drizari, jo vetëm që nuk e shfrytëzoi përvojën e tyre, por hartoi një fjalor, i cili nga vlerat e tij as që mund të krahasohet me atë të Çekrezit.

Në pjesën e anglishtes, vërejtje të shumta mund të bëhen përkitazi me shënimin e emrave, të trajtave të ndryshme të foljeve të parregullta, etj., por as transkriptimi i fjalëve e as shqipja e Fjalorit nuk janë pa të meta. Prandaj këtë fjalor Stuart E. Manni (Stjuart E. Man) e cilëson me një fjalë të vetme: “Inadequate” (i pamjaftueshëm).7

Në vitin 1957 botohet Fjalori i Stuart Edward Mannit8. Tashmë me një përvojë të lakmueshme në fushën e leksikografisë, me botimin e këtij Fjalori, Manni e pasuroi leksikografinë shqiptare me një vepër të vlefshme, e cila u shërbeu gjeneratave të shumta shkollarësh e studentësh.

I fundit në të cilin hasen çerdhet e fjalëve, ky Fjalor ka mbi 28 000 fjalë së bashku me ato të çerdheve. Edhe pse me fjalës shumë më të pasur se ai i fjalorëve që i paraprijnë, megjithatë edhe ky konsiderohet i tipit të vogël, krahasuar me pasurinë leksikore të anglishtes.9

Përkundër synimeve praktike, autori u kujdes që Fjalori të mbështetej në kritere shkencore. Është ky i pari fjalor në vargun e fjalorëve anglisht – shqip, në të cilin hasim klasifikimin e fjalëve në kategori leksiko-gramatikore, shënimin e fjalëve në pajtim me parimet ekzistuese në leksikografi, si shënimin e shumësit të emrave me shumës të parregullt pranë emrit në trajtën përfaqësuese; infinitivin, preteritin dhe participin e foljeve të parregullta të anglishtes poashtu në çerdhe të përbashkët, së bashku me shënimet përkatëse, ilustrime të bollshme të përdorimit të fjalëve, së bashku me përfshirjen e rreth 10 000 idiomave të anglishtes, për të cilat në të shumtën e rasteve autori siguron idiomat ekuivalente të shqipes, në mënyrë të denjë prezentohet si ligjërimi i anglishtes, ashtu edhe ai i shqipes.

Sa i përket pjesës së shqipes së Fjalorit, për të poashtu mund të thuhen shumë fjalë të mira në shumë pikëpamje, së pari, fakti se Manni e mbështet Fjalorin e tij në gegërishten qendrore, por në të përfshin edhe fjalë të dialektit toskë dhe të gegërishtes veriore, duke konsideruar se ai
do të varfërohej sikur të mbështetej vetëm në njërin nga dialektet e shqipes, bën që ai të dallohet nga fjalorët e tjerë të këtij lloji, të cilët siç u
përmend më herët, të gjithë pa dallim, ishin shkruar në dialektin toskë. Ajo që i bën Fjalorit të Mannit vend të posaçëm në leksikografinë shqiptare është ideja e tij që në Fjalor të pasqyrohet fondi themelor i anglishtes në “gjuhën e sotme letrare shqipe”.10

Fjalori i Mannit dallohet nga fjalorët e tjerë anglisht – shqip edhe me mënyrën e shënimit të shqiptimit të fjalëve. Edhe pse edhe në këtë fjalor fjalët e anglishtes transkriptohen me shkronjat e alfabetit të shqipes, autori gjithsesi del më i përgatitur në këtë pikëpamje. Përkundër rasteve kur hetohet moskonsekuenca e tij në aplikimin e zëvendësimeve për fonemat e caktuara të anglishtes, si dhe përkundër vështirësive që burojnë nga shënimi i fonemave të njërës gjuhë me shkronjat e gjuhës tjetër,11 mund të thuhet se Manni, në Fjalorin e tij, në mënyrë të drejtë e pasqyron shqiptimin e fjalëve angleze.

Fjalori anglisht – shqip i Sektorit të gjuhëve të huaja12 u botua një dekadë pas Fjalorit të Mannit. Ai nuk dallohet nga fjalorët e tjerë të llojit të vet, as me vëllimin, e as me qëllimet që synon të përmbushë. Me fondin prej 18 000 fjalëve, ky Fjalor është poashtu i tipit të vogël dhe ka qëllime praktike, pasi u dedikohet nxënësve të shkollave të mesme e të larta, dhe të gjithë atyre që e mësojnë anglishten “për t’i ndihmuar në përkthimin e teksteve të një vështirësie mesatare”, siç thuhet në parathënien e tij.

Për pjesën e anglishtes, sipas të gjitha gjasave, autorët janë mbështetur në një fjalor anglisht – rusisht,13 që reflektohet në strukturën identike të fjalësit, në ilustrimet për përdorimin e fjalëve, si dhe në frazeologjinë që jepet në Fjalor. Mirëpo, hartuesit e Fjalorit e kanë shfrytëzuar mirë këtë burim leksikografik, që vërehet në strukturën e vet Fjalorit. Derisa Fjalori anglisht – rusisht është fjalor me çerdhe fjalësh, në Fjalorin që po shqyrtohet këtu ndërtohen artikujt për secilën fjalë që radhitet në të.

Fjalori shquhet për shënimin e drejtë të fjalëve angleze, për dhënien e trajtave të preteritit dhe të participit të foljeve të parregullta së bashku me infinitivin, me homonimet e diferencuara në shtyllën e anglishtes dhe të shënuara me shifra romakë, të gjitha këto janë tipare që ia shtojnë vlerën këtij Fjalori.

Në pajtim me synimet e autorëve dhe qëllimet që Fjalori synonte të përmbushte, Fjalori është pajisur edhe me transkriptimin e fjalëve angleze me shkronjat shqipe, i cili mbështetet në sistemin të cilin e pati aplikuar Manni për qëllimet e njëjta.

Përkitazi me shtyllën e shqipes mund të thuhet me plot gojën se pikërisht ajo e veçon këtë Fjalor nga fjalorët e tjerë anglisht – shqip, për të cilët u bë fjalë deri tani. Përkthimi i fjalëve angleze me fjalë të barazvlershme shqipe të kategorive gjegjëse leksiko-gramatikore, zbërthimi i drejtë i kuptimeve dhe radhitja e tyre sipas shkallës së përdorimit, shënimi i drejtë dhe konsekuent i kuptimeve sinonimike, të afërta, dhe të ndryshme të fjalëve, dhënia e veçorive stilistike dhe nuancave emocionale të fjalëve, si dhe caktimi i statusit të fjalëve me udhëzimet e natyrës restriktive e informative, të gjitha këto janë tipare që ia shtojnë vlerën këtij Fjalori.

Tiparet e përmendura, së bashku me përkthimet e qëlluara të ilustrimeve të përdorimit të fjalëve dhe të idiomave të anglishtes, për të cilat jepen idiomat autentike ose të afërta të shqipes, dhe mbi të gjitha, me gjuhën letrare shqipe, me të drejtë e veçojnë atë si fjalorin më praktik në mesin e fjalorëve dygjuhësh anglisht – shqip.


______________________
1 W. Martin-Leake, Researches in Greece, London, 1814. Vepra përmban një fjalor greqisht-shqipanglisht
me rreth 2 100 fjalë dhe merret si fjalor i parë shqip – anglisht.
2 Xh. Lloshi, Fjalorët shqip - anglisht e anglisht - shqip dhe “Fjalori anglisht – shqip i Stuart Manit” në
Studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, v. II, Tiranë, 1972.
3 C. (Kosta) A. Chekrezi, English – Albanian Dictionary, Boston, 1923.
4 Shih tekstin e titulluar “Shënime T’Autorit”.
5 Xh. Lloshi, art. i cit.
6 Nelo Drizari, Albanian – English and English – Albanian Dictionary, New York, 1934.
7 Stuart E. Mann, A Historical Albanian – English Dictionary, London, 1948, shih bibliografinë e këtij fjalori.
8 Stuart E. Mann, An English – Albanian Dictionary, Cambridge University Press, 1957.
9 Harold Whitehall, The Development of the English Dictionary, in Essays on Language and Usage,
New York, 1963. Sipas tij, në një fjalor hipotetik të anglishtes do të mund të radhiteshin rreth 650 000
fjalë, kurse sot vlerësohet se fondi leksikor i gjuhës angleze arrin në 1 000 000 fjalë.
10 Shih Parathënien e Fjalorit.
11 Samuel Johnson, Preface to a Dictionary (1755), in Essays on Language and Usage, New York, 1963, p. 54-70
12 Fjalor anglisht – shqip, Sektori i gjuhëve të huaja i Institutit të studimeve dhe botimeve shkollore, Tiranë, 1966.
13 Anglo – Ruskii Slovar, Moskva, 1968 (bot. XVIII).
 
[Pjesa e dytë]

Fjalori anglisht – shqip i hartuar nga Gaspër Kiçi e Hysni Aliko14 është fjalori i fundit amerikan i këtij lloji. Meqë përnga vëllimi nuk dallohet nga fjalorët e tjerë, me 24 000 fjalë që radhiten në fjalësin e tij, edhe ai konsiderohet i tipit të vogël.

Si duket ky Fjalor synon t’u shërbejë si anglofonëve ashtu edhe albanofonëve, që hetohet nga sqarimet që jepen në fillim të Fjalorit. Kështu, sqarimet që kanë të bëjnë me alfabetin e shqipes dhe mënyrën e shqiptimit të fonemave të saja jepen në anglishte, kurse ato që kanë të bëjnë me alfabetin e anglishtes janë në gjuhën shqipe.

Fjalori është ndërtuar mbi bazën e artikullit, të cilët janë përpunuar me kujdes të duhur.

Përkitazi me strukturën e fjalësit duhet thënë se ky është Fjalori i parë në fjalësin e të cilit kanë gjetur vend shumica e fjalëve nga regjistri i 4000 fjalëve që përdoren më dendur në gjuhën angleze.15 Andaj, mund të thuhet se autorët janë mbështetur në kriterin e dendurisë në sajimin e fjalësit.

Kujdes të duhur autorët i kanë kushtuar edhe dhënies së karakteristikave gramatikore të fjalëve përmes shkurtesave gjegjëse, andaj, sa i përket anës gramatikore, mund të thuhet se është mjaft praktik dhe i dobishëm.

Për shënimin e trajtave të ndryshme të fjalëve autorët janë përcaktuar për parimin e radhitjes alfabetike të tyre. Pra, ato jepen si fjalë të mëvetësishme në krye të rreshtit, herë me referencën përkatëse, e herë fare pa të, që dëshmon moskonsekuencën e autorëve në zbatimin e parimeve.

Moskonsekuenca e autorëve hetohet edhe në trajtimin e pabarabartë të homonimeve të anglishtes. Derisa një grup homonimesh diferencohen në shtyllën e anglishtes dhe jepen në artikuj të veçantë, ndonëse nuk shënohen në mënyrë të veçantë, një numër po aq i madh homonimesh mbeten të padiferencuar.

Sa i përket transkriptimit të fjalëve, duhet cekur se autorët fare nuk e kanë shfrytëzuar përvojën e autorëve të tjerë në këtë aspekt. Ndonëse edhe në këtë Fjalor fonemat e anglishtes shënohen me shkronjat shqipe, aty janë futur në përdorim edhe disa shkronja të alfabetit fonetik ndërkombëtar. Me kombinimin e këtyre dy alfabeteve, është hapur rruga për krijimin e disa zëvendësimeve të ndryshme për fonemat e njëjta të anlishtes. Si pasojë, në vend se të lehtësohet shqiptimi i fjalëve angleze, ai jo vetëm se vështirësohet, por edhe shtrembërohet. Shkaku i zëvendësimeve joadekuate, jo rallë ndryshon kuantiteti i vokaleve, vokalet e gjata shndërrohen në të shkurtra, diftongjet shndërrohen në vokale, pra monoftongizohen, dhe e kundërta, që nuk ka si të arsyetohet.

Tipari që e veçon këtë fjalor nga fjalorët e tjerë amerikan është mënyra e kapërcimit të vështirësive rreth sigurimit të fjalëve ekuivalente. Derisa Çekrezi e Drizari, e pjesërisht edhe Manni, kanë përdorur neologjizmat si mjet në mungesë të fjalëve të barazvlershme shqipe, Kiçi e Aliko poashtu kanë parapëlqyer trajtat shqipe kudo që kjo ka qenë e mundur, mirëpo, nga ana tjetër, në Fjalorin e tyre kanë gjetur vend shumë huazime të reja, sidomos ndërkombëtarizmat, që në shqipe kanë hyrë së bashku me objektet dhe dukuritë që emërtojnë. Kështu në Fjalor hasim fjalë si: aerostat, debitor, egoizëm, epitet, ekuator, futurist, gjenerator, halucinacion, katodë, refleks, etj.

Natyrisht, ne sot nuk u shmangemi asnjërës nga këto fjalë, sepse shqipja letrare i ka përvetësuar ato. Prandaj edhe autorët kanë vepruar drejt duke i përfshirë në Fjalor dhe duke e regjistruar gjendjen ekzistuese në shqipe. Mirëpo, poashtu duhet theksuar se në disa raste ata kanë tepëruar në këtë drejtim, andaj, për pasojë, kemi disa huazime individuale nga anglishtja si: kabllogram, pulovër/pulovri, dekalog, dialektal, façadë, falsitet, idioci, moralitet, etj.

Ç’është e vërteta, disa nga fjalët e sipërshënuara kanë hyrë në shqipe, por nuk përdoren në trajtën siç e japin Kiçi e Aliko. Bie fjala, shqip thuhet telegram, e jo kabllogram, dialektor e jo dialektal, fasadë e jo façadë, moral e jo moralitet, etj.

Nga sa u shtjellua në paragrafët paraprakë, mund të përfundohet se ky Fjalor me kriteret mbi të cilët është hartuar, me fondin e fjalëve që përfshihet me fjalësin e tij, me transkriptimin e fjalëve, e as me shqipen e tij, nuk ia kalon as Fjalorit të Mannit, e as atij të Sektorit të gjuhëve të huaja.

Në vitin 1972 botohet një fjalor themelor anglisht – shqip.16 Ai u dedikohet nxënësve të shkollave fillore e të mesme, si dhe fillestarëve që e studiojnë anglishten në mënyrë të pavarur. Fjalësi i tij përfshin vetëm 2 500 fjalë. Edhe pse me fjalës kaq të kufizuar, ky Fjalor vlen të përmendet për dy arsye: e para është se fjalësi i tij përmban 2 000 fjalët e para të Fjalorit frekuentativ të gjuhës angleze,17 komponentë me rëndësi të veçantë në sajimin e fjalësit dhe, e dyta, fakti se në këtë Fjalor transkriptimi i fjalëve bëhet me shkronjat e alfabetit fonetik ndërkombëtar. Meqë në fjalorët anglisht – shqip, që u shqyrtuan këtu, fjalët angleze shënohen me shkronjat shqipe, për pasojë kemi aplikimin e një numri të madh zëvendësimesh për fonemat e njëjta angleze. Transkriptimi i fjalëve në këta fjalorë më së miri ilustron thënien e Dr. Samuel Johnsonit (Samjuell Xhonson) se fuqia e shkronjave e aplikuar në një gjuhë të re patjetër është e paqartë dhe e pavendosur, prandaj duart e ndryshëm tingullin e njëjtë e paraqesin me kombinime të ndryshme.18

Ky Fjalor, me fjalësin e sajuar mbi kriterin e dendurisë së përdorimit të fjalëve, me transkriptimin e fjalëve me shkronjat e Alfabetit fonetik ndërkombëtar, me ilustrimin e fonemave të anglishtes me fjalë shqipe që përmbajnë fonema të afërta ose të ngjashme me ato të anglishtes, si dhe me përkthimin e fjalëve me fjalë të barazvlershme shqipe, është një shembull i mirë në ç’drejtim do të duhej ecur në hartimin e fjalorëve të rinj anglisht – shqip.

I fundit në vargun e fjalorëve anglisht-shqip, është edhe një fjalor i tipit të vogël (me rreth 30 000 fjalë), i hartuar nga Ilo Stefanllari.19 Në fakt, ty është versioni i thelluar dhe i përmirësuar i Fjalorit të Sektorit të gjuhëve të huaja, në përpunimin e të cilit janë shfrytëzuar disa fjalorë shpjegues të gjuhës së sotme angleze si dhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe dhe fjalorë të ndryshëm terminologjikë, andaj në të nuk përsëriten gabimet që janë vërejtur në fjalorin që u shfrytëzua si pikënisje.

Fjalori i Stefanllarit, sikundër gjithë fjalorët e tjerë, është i pajisur edhe me shtyllën e transkriptimit. Për këtë qëllim, autori mbështetet në Fjalorin drejtshqiptimor të Daniel Jonesit (Daniell Xhouns)20 kjo mënyrë e shënimit të shqiptimit të fjalëve të anglishtes gjithsesi paraqet një hap pozitiv në krahasim me fjalorët e tjerë që u analizuan këtu, meqë disa herë u dëshmua se shënimi i fjalëve angleze me shkronjat shqipe nuk u tregua si metodë e përshtatshme.

Përkundër orientimit pozitiv të autorit përkitazi me shënimin e shqiptimit, vlen të bëhen disa vërejtje lidhur me këtë çështje. Në fillim të Fjalorit, autori e jep alfabetin e anglishtes, që padyshim është në rregull. Mirëpo, do të ishte e udhës që Fjalori të pajisej edhe me alfabetin fonetik ndërkombëtar, mundësisht me nga një fjalë angleze për secilën shkronjë, në ç’mënyrë shfrytëzuesit e fjalorit do të udhëzoheshin për mënyrën e shqiptimit të këtyre shkronjave. Kjo do të ishte ndihmesë e madhe për nxënësit dhe studentët që për herë të parë ndeshen me transkriptimin e fjalëve me këtë alfabet.

Përkitazi me transkriptimin e fjalëve, vërejtje mund të bëhet edhe për modelin e përdorur për këtë qëllim. Pa pasur ndërmend të kontestojmë vlerat e Fjalorit drejtshqiptimor të Jonesit, mendojmë se autori, duke u mbështetur në këtë Fjalor, pa nevojë e kufizon Fjalorin e tij. Sot kur mundësitë e kontakteve me gjuhën angleze, qoftë të folur qoftë të shkruar, janë më të mëdha se në të kaluarën, kur ata që interesohen për këtë gjuhë kanë mundësi më të gjera kontakti me variantet e ndryshme të anglishtes, kufizimi i Fjalorit në shqiptimin e variantit britanik nuk na duket gjithaq i arsyeshëm, aq më tepër kur as në vet fjalorët britanik nuk praktikohet një gjë e tillë. Edhe pse britanezët janë të njohur për konzervatizëm sa i përket gjuhës së tyre, për dallim nga amerikanët, të cilët janë më të prirur për inovacione, në fjalorët e botuar në Britaninë e Madhe, krahas drejtshqiptimit sipas standardit britanik, jepet edhe versioni standard amerikan, në disa raste edhe duke shtuar shkronja të veçanta për të pasqyruar shqiptimin amerikan të fonemave e të fjalëve të caktuara.21

Përveç kësaj, përkundër vlerave të pamohueshme të Fjalorit të Jonesit, nëse kihet parasysh dinamizmi i gjuhës dhe evoluimi i disa fonemave të anglishtes, kryesisht i disa vokaleve dhe diftongjeve, të cilët sot shqiptohen ndryshe, krahasuar me kohën e hartimit të fjalorit të përmendur, mendojmë se autori do të vepronte më drejtë sikur të mbështetej në transkriptimin e fjalëve të ndonjë fjalori të mirë të anglishtes të kohës sonë.

Sa i përket shtyllës së fundit të Fjalorit të Stefanllarit, duhet cekur se ajo shquhet për gjuhën letrare shqipe, për përkthimin e fjalëve me fjalë ekuivalente shqipe, për zbërthimin e drejtë të kuptimeve dhe për radhitjen e tyre sipas shkallës së përdorimit, për përcaktimin e sferës dhe stilit të përdorimit të fjalëve, që ka rëndësi për përzgjedhjen e kuptimeve të veçanta që marrin fjalët, si dhe për përkthimin e drejtë të ilustrimeve dhe të njësive frazeologjike.

Tiparet që u përmendën, së bashku me fjalësin e përzgjedhur, me shënimin e drejtë të fjalëve, me zbërthimin e homonimeve të anglishtes, si dhe me transkriptimin e fjalëve, bëjnë që Fjalori i Stefanllarit të jetë fjalori më praktik në mesin e fjalorëve anglisht – shqip, gjë që edhe pritet nga fjalori i fundit në vargun e gjatë të fjalorëve të këtij lloji.

Nga gjithë sa u shtrua në këtë studim, mund të përfundojmë se pas pothuaj një shekulli pas botimit të fjalorit të parë anglisht – shqip, përkundër numrit jo të vogël të fjalorëve që u hartuan e u botuan në kushte, rrethana, situata e vende të ndryshme, e me motive të llojllojshme, leksikografia shqiptare mund të krenohet vetëm me fjalorët e tipit të vogël.

Pa i mohuar vlerat, rolin dhe shërbimin e këtyre fjalorëve, e as kontributin e hartuesve të tyre, mendojmë se tani shtrohet kërkesa për hartimin e fjalorëve të rinj, me fjalës shumë më të pasur e më të përzgjedhur, jo vetëm të përgjithshëm, por edhe të veçantë, terminologjikë të fushave të ndryshme, që do ta mbanin hapin me ndryshimet e përgjithshme shoqërore e politike që ndodhën në trevën tonë. Në këtë mënyrë do t’u dilej në ndihmë të gjithë atyre që interesohen për gjuhën angleze, e që i qasen asaj me motive të llojllojshme, si dhe të gjithë atyre që anglishten e përdorin në punën e tyre të përditshme.
__________________

14 Gaspër Kiçi e Hysni Aliko, English – Albanian Dictionary, Roma, 1969.
15 Thorndike, The First 4,000 Words, Adaptation from Edward L. Thorndike, and Irving Lorge: The
Teacher’s Word Book of 30,000 Words, Bureau of Publications, Columbia University, 1944.
16 Fjalor themelor anglisht – shqip, Tiranë, 1972.
17 Thorndike, vep. e cit.
18 Samuel Johnson, pun. i cit.
19 Ilo Stefanllari, Fjalor anglisht – shqip, 1988.
20 Daniel Jones, Everyman English Pronouncing Dictionary, London 1967.
21 Longman Active Study Dictionary of English, London, 1984.
 
STUDIME FILOLOGJIKE - 2022

RRETH NDIHMESËS SË NELO DRIZARIT
NË LEKSIKOGRAFINË ANGLISHT-SHQIP E SHQIP-ANGLISHT
nga VALTER MEMISHA
(pjesa 1)

1. Në SHBA përmbi 100 e ca vjet jeton një komunitet shqiptar nga i cili kanë dalë figura të shquara, si F. Noli, F. Konica, K. Çekrezi, Q. Panariti, P. Prifti etj., që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare. Midis tyre veçohet dhe Nelo Drizari (Zenel Hysen Sulaj) (1902-1976), i njohur si gazetar, studiues, shkrimtar, piktor, gjuhëtar1. Ndër të tjera, ai ka qenë mësimdhënës i gjuhës shqipe në Universitetin “Kolumbia”, por është marrë edhe me vetë shqipen. Nga botimet e tij mund të përmendim dhe veprën “Shqipja e folur dhe e shkruar. Doracak praktik” (New York, 1947, ribotuar më 1959), një metodë për të mësuar gjuhën shqipe nga të huajt, ndoshta i pari i këtij lloji në historinë e mësimdhënies së gjuhës sonë në botën e jashtme, duke e çuar veprën te studentët dhe më gjerë.

Në vitin 1934, Nelo Drizari, duke ndjekur rrugën leksikografike të çelur nga Dennis J. Kambury dhe Kostandin Çekrezi2, boton veprën “Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary”3, i pari fjalor refleksiv (ku shqipja përballë anglishtes në pjesën e parë del si gjuhë e parë, kurse në pjesën e dytë, si gjuhë e dytë).
Vepra është pajisur me një parathënie të shkurtër, të shkruar prej vetë autorit. Në të vlerësohet shqipja si gjuha, ndoshta, më e vjetër e Ballkanit, që në shekuj është përballuar me sulme të egra, që u rezistoi dhe u shpëtoi atyre, duke qëndruar vitale përballë gjuhëve të tjera të përparuara. Sipas Nelo Drizarit, “Gjuha shqipe, me gjithë q’e kanë çpërdorur disa Shqipëtarë me mësime të cekëta, është mbajtur e gjallë nga populli vetë dhe me anë veprash të njohura, - më të shumtat e të cilave janë shkruar prej të huajve. Zonja Shqipe, sido q’ edhé armiq të huaj nuk kanë lënë gur pa kthyer për t’a paraqitur si gjuhë barbare dhe pa themele gjuhësie të saja, ka arrirë një shkallë të lartë - dhe taní ësht e zonja të qëndrojë me ballë hapur përpara gjúhëve të përparuara të sotme. Kreshnikët e pëndës të cilët e kanë shpëtuar gjuhën t’onë nga nonjë short më të keq kanë qënë, përveç një grusht shkrimtarësh shqipëtarë, disa shkollarë gjermanë dhe italianë. Këtá me anën e fjalórëve, dhe gramatíkave të tyre, jo vetëm j’a bënë të njohur botës që shqipja është gjuhë më vete dhe ndoshta më e vjetra në Ballkan, po edhé na lanë ca trashëgira nga të cilat munt të marrim shumë prova që t’a zbukurojmë dhe t’a pasurojmë ashtú si i ka hie.”4

Nelo Drizari i njihte nga afër zbrazëtitë në leksikografinë dygjuhëshe të shqipes (përkatësisht të leksikografisë së anglishtes) në periudhën e fillimviteve ’30 të shekullit të kaluar, veçanërisht mungesën e një fjalori refleksiv anglisht-shqip e shqip - anglisht, me vlera praktike, që do të ndihmonte në radhë të parë komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe vetë punës së tij (e më gjerë) në përballjen e përditshme, përfshirë këtu edhe në atë universitare, me pasurinë leksikore e semantike të anglishtes. Madje kjo e shtyn drejt hartimit të një vepre të tillë. Në Parathënien e veprës ai jep një informacion të shkurtër se si mori rrugë sipërmarrja, e kurorëzuar si fjalor në vitin 1934. Ai shkruan se “Gjër këtú gjuha ka patur shoqe të mira dhe ka rënë në duar të zonja. Por kur vura re për të parën herë që mungonte një fjalór për të qënë shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, m'u-duk se në këtë' shesh qe një nevoj'e madhe për të mbushur një vënt të zbrazur. Kjo nevojë më dukej më e madhe kur shpesh herë dija një fjalë shqipe dhe doja t’i gjëja kuptimin inglisht. Përandáj, pak kohë passi shkela këmbë në qytetin Neë York, për të hyrë si studént n'Univërsitetin Columbia, nisa me një herë të kolandrít fjalë të këtilla për vete. Dy vjet të kaluara, kur shqipja u-vu në një sërë me gjuhëra të tjera në këtë’ Universitét, më ra nër mënt për të pregatitur fjalorin për të cilin kisha ndjerë nevojën më parë. Q’ahere dhe gjër atý shpejti i bëra ballë kësáj barre të rëndë, - dhe sot del në dritë fjalori shqip-inglisht dhe inglisht-shqip.”5
Nelo Drizari e pranonte rolin dhe vlerën e dy fjalorëve të hartuar para se të botonte fjalorin e tij. Duke qenë profesionist, ai njihte edhe rolin e gramatikave në nxënien e një gjuhe, sepse në një farë mënyre, zotërimi i një gjuhe nënkupton binaritetin fjalor + gramatikë. Ndaj, ai në Parathënie, duke paraqitur veprën që kish hartuar, ngreh, njëherazi, dhe shqetësimin për nivelin e dobët të gramatikave të shqipes, që ishin hartuar në atë kohë. Sipas tij, “Ky fjalór përmbléth për të parën herë pjesën shqip-inglishte. Dy fjalorë të tjerë që kanë patur të bëjnë me këtó dy gjuhëra, aý i Zotit Dennis J. Kambury q’u-botua në Jamestoën më 1915 dhe i C. A. Chekrezit që dolli në shesh në Boston më 1923, ishin vetëm inglisht-shqip. Mjerìsht, që të dy këta fjalorë, me gjithë të metat e tyre, besój se janë shitur taní dhé nuk gjënden më gjëkundi me shumicë. Përvéç kësáj, edhé katër gramatika inglisht-shqipe që janë përhapur këtó vjete të fundit i kanë prurë më shumë dëm se sa dobí shqipes, - se nuk kanë vetëm pák gabime.”6

Në vijim, N. Drizari jep në Parathënie disa ravijizime të teknikave dhe të kritereve që ka përdorur në Fjalor. Ai shkruan se, “Edhé nga fjalorët e tjerë në gjuhëra të huaja, ky ësht i pari që ka shkronjat e abecesë shqipe të sotme. Gjith’ ashtú, përmbán edhé ndryshimet e foljes në mes gojës Gegërishte dhe gojës Toskërishte. Këtó ndryshime në folje, ndoshta jo fjalë për fjalë, i kam dhënë besnikërísht. Le të marrim për shëmbëll, këtó ndryshime të dy gojëve: T-qasem: G-avitem; T-përpiqem: G-orvatem; T-shpejt: G-herët; T-vatrë: G-votrë; T-mësonjës: G-mësúes; T-bëj: G-baj; T-burrërí: G-burrënì.”7
Dhe më tej parashtron gjendjen e shqipes, e cila, duke mos pasur një variant të përpunuar letrar mbidialektor (që, po të flasim nga rrafshi socio-linguistik, duhet të kryente funksionin e një gjuhe zyrtare) e që do të ishte mishëruar në vepra kodifikuese, e pengoi jo pak Nelo Drizarin (dhe të tjerë bashkëkohës të tij) në punën hartuese për Fjalorin. Ai shkruan se “Do t’a quaja të tepërt të zija n’gojë sa jam përpjekur të pregatìt një fjalór për të qënë, po të qe se gjuha shqipe ish me caktime më të pranuara anëmb'anë Shqipërisë. Me gjithë q’është mjaft e pasur dhe e bukur kur e flet një Shqipërtár i vërtetë, shqipja ka edhé ca të meta, të cilat mund të çduken pas ca kohë. Përandáj, Shqipëtarët e mënçur, passi t’i kenë hedhur një sy me mëndje të hapët, shpresój se do t’i kuptojnë më mirë pengimet në pregatitje të këtíj fjalori dhe do të shohin sa jam munduar të përdor një gjuhë të kulluar, të pastër dhe me caktime me vënt.”8
Autori i fjalorit u përball me vështirësitë të shumta në rrugën për të hartuar një fjalor dygjuhësh, me vlera praktike përdorimi. Ai i njihte mirë anglishten dhe shqipen, gjuhën e vet amtare. Fjalori që doli nga duart e tij, është i tipit të vogël dhe leksiku që ka zënë vend në të, referuar së pari shqipes, i përket shtresës së përgjithshme të leksikut të saj. Madje ai ka kërkuar ndihmë nga intelektualë shqiptarë të vendosur në Amerikë. Që të dyja gjuhët më duket se i kam shokëruar me kujdés. Inglishtja që përdór përmbán përgjithërisht fjalë më të nevojshme, që hyjnë në punë më shumë, sipas librit që përmënt gjetkë. Shqipëtarëve të cilët e kanë begatuar këtë’ fjalór me fjalët që më kanë dhënë u falem nderit. Zotit Faik Konitza, zbukurónjësi i gjuhës shqipe, i cili pati mirësinë të më japë shumë fjalë nga ató që kish mbledhur për vete, i falem nderit.”9
“Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary” i N. Drizarit, u mirëprit nga shqiptarët e Amarijkës, por dhe më gjerë. Ai mori vëmendjen e duhur dhe nga intelektualët e kohës. F. Konica e vlerësoi shumë këtë vepër, për saktësinë në përkthimin e fjalëve dhe të shqiptimit të tyre, si dhe për faktin që përmbante të gjitha fjalët e
domosdoshme të gjuhës shqipe, gjë që e bëri Fjalorin të mirëpritur “si nga studentët, ashtu dhe nga udhëtarët anglishtfolës.”10 Ai thekson se, Në Itali dhe Gjermani janë shfaqur disa fjalorë shqip. Por çuditërisht, përkundër emigrantëve dhe refugjatëve të shumtë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, ky është fjalori i parë shqip-anglisht dhe anglisht-shqip i botuar ndonjëherë diku. Vetëm për këtë arsye zotit Nelo Drizari i meriton një meritë të madhe. Por puna është e lavdërueshme për meritat e veta. Z. Drizari, duke qenë se e njeh mirë shqipen dhe anglishten, fjalori i tij është përgjithësisht i saktë në përkthimin e fjalëve të barasvlershme, dhe është edhe më i saktë në përkthimin e tingujve të gjuhës popullore siç flitet nga shqiptarët e mirëfilltë. Për shembull, fjalori anglisht-shqip i Çekrezit ka këtë barasvlerë të habitshme: uveal = mish kau", por zoti Drizari e di më mirë dhe ka: "viçi = mish viçi". Shumica e fjalorëve të mëparshëm kanë: i bukur = i bukurë; por zoti Drizari e di që shqipja e mirëfilltë thotë gjithmonë "i bukur", ë-ja shtesë është karakteristikë e të folurit të plogësht të disa elementëve që jetojnë në Shqipëri, për të cilët shqipja nuk është gjuhë e natyrshme. Së fundi, fjalori i zotit Drizari përmban të gjitha fjalët thelbësore të gjuhës shqipe. Për këto arsye, ai do të jetë i mirëpritur si për studentin ashtu edhe për udhëtarin anglishtfolës.”11
Pa pasur aspak synim, që nga pozitat e gjuhësisë apo më saktë të leksikografisë kontrastive, të ndalemi në përballjen leksiko-semantike të fjalëve të të dy gjuhëve, ne jemi ndalur vetëdijshëm në disa vëzhgime / ravijëzime për pasurinë leksikore e frazeologjike të shqipes përballë anglishtes, në punën përzgjedhëse të N. Drizarit për fjalësin shqip që ndërton makrostrukturën e veprës në pjesën e parë (fjalor shqip-anglisht), në një kohë kur shqipja ende nuk kishte në përdorim asnjë fjalor shpjegues të mirëfilltë. Dhe në një vështrim sipërfaqësor (jo të thelluar), vepra çmohet për lëndën që i përket semantikës leksikore, çka duket, jo vetëm te gjetja e goditur e barasvlerësve të fjalëve në gjuhët gjegjëse, por edhe tek shumë elemente të sinonimisë, të antonimisë, të polisemisë, si dhe të sintagmatikës (të shembujve ilustrues të fjalëve apo të kuptimeve të tyre). Për shqipen këtë e realizon një gjuhëtar që e kishte atë gjuhë amtare si dhe që njihte me themel edhe anglishten e pasurinë e saj leksikore e leksikografike.
“Fjalori shqip-anglisht dhe anglisht-shqip” i N. Drizarit ka vlera të shumanshme. Është e para vepër në leksikografinë dygjuhëshe anglisht – shqip dhe shqip anglisht, ku shqipja është gjuhë e parë, por ai i ka kapërcyer kufijtë e një vepre të mirëfilltë leksikografike. Ai ka një fituar karakterin e një vepre enciklopedike, sepse veç leksikut të përgjithshëm, aty gjejmë njësi që i përkasin onomastikës e toponomastikës, informacion gjeografik, demografik, etnografik etj.
____________
1 Sipas studiuesit N. Jorgaqi, ai lindi në Drizar të Mallakastrës dhe emigroi në SHBA. Studioi gazetari në “Columbia University School” të Nju-Jorkut (1928), në të cilin do të hapte edhe kurset për mësimin e gjuhës e të letërsisë shqipe (1932- 1939 e 1942-1948). N. Drizari botoi shkrime, analiza, intervista e reportazhe, si dhe hodhi themelet e programit shqip të “Zërit të Amerikës” (1942- 1948). Më 1949 u caktua me detyrën e drejtuesit të “Shkollës së Gjuhës Shqipe” (Albanian Language School) në Monterey (California). Botoi veprën “Fjalor shqip-anglisht dhe anglisht-shqip” (1934, ribotuar 1954); tekstin: “Shqipja e folur dhe e shkruar” (Doracak praktik, Nju-Jork 1947, ribotuar 1959); studimin “Skënderbeu - jeta e tij, korrespondenca, oratoria, fitore dhe filozofia” (Californi, 1968) etj. Përktheu në anglisht dramën e Sami Frashërit “Besa” dhe shkroi në anglisht romanin “Irena” dhe përmbledhjen me tregime autobiografike “Nga katër ditët në tokën e premtuar”. Shih më gjerë, N. Jorgaqi, Drizari N., në “Fjalor enciklopedik shqiptar”, 1, Tiranë, 2008, f. 357.
2 Dennis J. Kambury kish botuar më 1915 në Nju Jork veprën English-albanian dictionary (Fjalëtor anglisht-shqip), 96 f., një doracak modest, siç vërehet dhe nga numri i faqeve. Gati 10 vjet më vonë, në vitin 1923, Kostë Çekrezi kishte botuar në Boston veprën English-Albanian dictionary (Fjalor inglisht-shqip), një fjalorth, i cili kish një vëllim gati sa dyfishi i Fjalorit të Kambury-it (191 f.). Besojmë se këto vepra Nelo Drizari i ka pasur në dorë, por ndryshe nga këto Fjalori i tij ishte fjalor refleksiv, dydrejtimësh (anglisht-shqipe dhe shqip-anglisht).
3 N. Drizari, Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary, Nju-Jork, 1934, 313 f.
4 Dhe vazhdon më tej: “Janë taní më shumë se njëzét-e-dy vepra të këtilla, dhe ató më kryesore vazhdojnë: Dictionarum Latino Epiroticum i Frano Bardhit, botuar në Romë më 1935; Albanesische Studien i Johann Georg von Hahn-it, botuar në Vienë më 1853; Vocabulario della Lingua Epirotica-Italiana i Frano Ross-it, botuar në Romë më 1875; Saggio di Grammatologia Comparata sulla Lingua Albanese e Demetrio Camarda-s, Livorno, 1864; Etymologisches Worterbuch der Albanesichen Sprache i Gustav Meyer-it, botuar në Strassburg më 1891; Studien zur Albanesischen Etymologie und Wortbildung i Dr. Norbert Jokl-it, botuar në Vienë më 1911; Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albabesisches i Dr. Gustav Weigand-it, botuar në Leipzig më 1914; fjalori i Jak Junkut, shqip-italisht dhe italisht-shqip, botuar në Shkodrë: dhé
fjalori shqip me shkronja gërqishte i Kostandin Kristoforidhit, botuar n’Athinë më 1904.” Shih N. Drizari, “Parëthënie”, në N. Drizari, Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary, Nju-Jork, 1934, f. IV.
5 N. Drizari, Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip / Albanian-English and English-Albanian dictionary, Nju-Jork, 1934, f. IV.
6 N. Drizari, po aty, f. V.
7 N. Drizari, po aty, f. V.
8 N. Drizari, po aty, f. V.
9 N. Drizari, po aty, f. V.
10 N. Drizari, po aty, f. III.
11 N. Drizari, po aty, f. III.
 
(pjesa 2)

Le të ndalemi konkretisht në disa prurje të kësaj vepre:
Dukuri të ndërtimit të makrostrukturës fjalësit shqip
1. Në Fjalor gjejmë fjalë të mbarë shqipes, duke i dhënë përparësi variantit toskë të tyre. Po japim këtu për ilustrim nga një njësi për çdo kategori leksiko-gramatikore: emër, mbiemër, folje ndajfolje, përemër, numëror, pjesëz, pasthirrmë, lidhëz. Duhet të theksojmë se autori brenda një leme që referon te një pjesë e ndryshueshme e ligjëratës, ka dhënë elemente të shumta të paradigmës së eptimit të saj, duke ndihur jo pak ata që kërkonin të mësonin shqipen.
Foshnjë f. infant, baby, foshnja the infant, foshnja-t pl.
I, e vogël small, little, djal’i vogël small boy, goce e vogël little girl.
Vij I come, vjen he comes, vijmë we come, vini you come, vijnë they come.
Dreq direct, dreq për dreq directly.
Vetë, vet self. Ne vetë we ourselves, ay vetë he himself. vetvetiu automatically, by itself or himself. vetë dora the same, himself.
Pesë five. e pesta f. the fifth. I pesti the fifth. m. pesëmbëdhjet fifteen. pesëdhjet fifty. Pesë qint five hundred.
Sepse because, for this reason. See also se.
Duke ndjekur linjën e pasqyrimit të njësive sipas fjalëformimit dhe jo sipas fushave tematike, në Fjalorin... e Nelo Drizarit, kanë zënë vend emra veprimi, emra vepruesi, mbiemra prejpjesorë, por jo gjithnjë në mënyrë sistemore: diku dalin si zëra leksikografikë të veçantë, por të vendosur saktë alfabetikisht, pas foljes gjegjëse, si: i e çmëndur, e, i çquar, i e shtyjtur (person i shtyjtur), i e trëmbur, i e vdekur, i e ushqyer etj.; diku tjetër dalin si nënzëra (brenda një zëri tjetër me lidhje derivimi). Kështu, te fryj jepet edhe i fryrë, te fshik jepet edhe i fshikur, te ftohem jepet i ftohur, te grij jepet edhe emri i veprimit të grirët, edhe mbiemri i grirë, te çel jepen edhe emrat e veprimit të çelur / çelje, edhe mbiemri i çelur, te çpërdor jepet i e çpërdorur, te mëritoj jepet i e mërituar etj.
Një dukuri tjetër që bie në sy në Fjalor, është se autori jep shumë njësi të derivuara dhe nuk jep fjalët që kanë shërbyer si tema fjalëformuese dhe motivuese. Këtu po përmendim: jepen dy njësi frazeologjike me kuturi,-a (bëj një kuturi, e marr me kuturi), por jo kuturis; jepen i e shurdhër, shurdhoj, shurdhohem, por jo shurdh etj.; epen mbiemra prejpjesorë pa folje, nga pjesoret e të cilave janë krijuar, si i e frymuar. Nganjëherë jepet emri i veprimit dhe mbiemri prejpjesor, por nuk jepet folja nga janë formuar, si turbull, turbullim, i e turbulluar; rrënxim, i e rrënxuar; pikëllim, i e pikëlluar etj.
Me interes studimor janë edhe disa mbiemra lëndorë, si i dhirtë (gun' e dhirtë), e leshtë (gun' e leshtë), e grynjë (buk' e grynjë), e misërt (buk' e misërt), e thekërrt ( buk' e thekërrt), e elbët ( buk' e elbët) etj.
Në fjalor ka shumë emra abstraktë, por leksiku dituror identifikohet me një numër të vogël njësish, fjala vjen kemi the edukation por jo edukim dhe
edukatë, fjala e anglishtes është dhënë në shqipe me arësim (një semantikë që po fiton terren të gjerë sot në literaturën pedagogjiko-shkollore në Shqipëri).
Si lema të veçanta në Fjalor dalin dhe emra në numrin shumës që tregojnë lloje dhe që e formojnë këtë kategori me prapashtesën -ra, si arsyera.
2. Nuk mungojnë në Fjalor edhe njësi të dialektit gegë, të cilat autori i ka shenjuar me shkurtesën G. (gege) dhe G. loc., kur i sheh si krahinore gege (gegë localism).
Burrëri f. manhood. burrëria the manhood. (G. burrëni, burrënia)
Mëna f. mullberries. mëna ferre blackberries. (G. mana).
Nëmë f. curse, anathema, damnatiton. nëma the curse. see mallkim. (G. namë).
Né we. ne jemi këtu we are here. see neve. (G. na)
Verë f. wine. vera the wine. verëra-t pl. (G. venë)
Tek-tuk gjejmë edhe dy emërtime për një nocion, që dalin si fjalë titull dhe në toskërishte dhe në gegërishte, por njësinë në gegërishte e çon me referim të fjala / sinonimi në toskërishte.
Gaforrë f. crab. (G) see gërthje.
Gërthje f. crab. Gërthja the crab. Gërthje-t pl. (G. gaforrë, gaforra)
Dam (G). see dëm.
Dëm m. damage. Dëmi the damage. Dëme-t pl... (G. dam, dami, dame-t).
Pupël f. feather (G.). see pëndë.
Pëndë f. feather. 2. Pen. (for writing). (G. pupël). Pënda the feather, pen. Pëndë-t pl.
Jepen dhe fjalë me përdorim krahinor të ngushtë: Golë (Col.- confined to lokal usage: lokalism – krahinore) see gojë.
Gjithnjë, në linjën e paraqitjes së pasurisë leksikore të shqipes si gjuhë e parë në Fjalor, në fjalësin e veprës kanë zënë vend disa fjalë që autori i sheh si të të folmeve arbëreshe (IA -Italo-Albanian - Italo -Shqipëtare), si cikë (çikë, pak, ca), gjegj (dëgjoj), gjegjem (përgjegjem) etj.
3. Fjalori ka në brendësi të mikrostrukturave shumë njësi leksikore, që autori nuk i ka nxjerrë si lema, si fjalë tituj. Ato edhe pse janë një pasuri jo e vogël njësish, do të përbënin një vlerë të shtuar për makrostrukturën e veprës. Nuk e kuptojmë këtë konceptim të paraqitjes së fjalëve të shqipes në një fjalor dygjuhësh, në një kohë që anglishtja, si gjuhë e dytë e lehtësonte autorin për ta dhënë fjalën shqipe në rastin në shqyrtim si zë të veçantë dhe jo si një nënzë apo si element leksikor të një çerdheje fjalëformuese. Si nënzëra dalin fjalë të prejardhura (te Lopë, gjen edhe lopar, lopare; te Shëndet gjen dhe i shëndetshim, e shëndetshme); fjalë të përngjitura (te mes / mez gjen mesdheu, mesdeti, mesnate, mes-per-mes); fjalë të përbëra (te Ditë gjen ndër të tjera ditëmirë, ditëzi, ditëzezë, ditëbardhë, ditëgjatë etj.); jo rrallë në një zë autori përfshin njësi me tipologji formimi të ndryshme, si te Buzë, gjen edhe buzëqesh, buzëqeshje, buzëplasur, i e buzëqeshur.

Numri i njësive që ndërtojnë fjalësin shqip të veprës do të rritej jo pak, po të ishin nxjerrë si fjalë-titull edhe shumë fjalë të përbëra (kompozita), si: gojë-lik, gojë-ligë vulgar (filthy mouth); gojë-ëmbël soft spoken, resonant voice; gojë-artë golden speech; gojë-math big gossip, talkative; zëmër-bardhë good-hearted, good-fellow, meaning well; zëmër-gur hard-hearted, stone-hearted; zëmër-gjerë, zëmër-lik, zëmër-kthiellt etj.
4. Nelo Drizari ka shenjuar një grup njësish si neologjizma leksikorë (N-neologism - neollogjismë, fjal' e re), duke u dhënë një vend të merituar fjalëkrijimeve me brumin e vetë shqipes, por duke na dhënë edhe një informacion të nevojshëm dhe të domosdoshëm për kohën kur janë krijuar apo, më saktë, kur kanë zënë vend në një vepër leksikografike, qoftë kjo edhe e llojit në të cilën jemi ndalur, e botuar jashtë territorit të Mbretërisë Shqiptare. Po përmendim këtu e përkohëshme, përkrah, përkthej, përkthim, përkthenjës / përkthyes, përkundrazi, përmbaj, përmbajtje, përmendore, përmirësoj, përqas, përqasje, përqint, përqindje, përshkruaj, nënëdorë, nënëshkrim, i nënëshkruari, e nënëshkruara, njerëzisht, njerëzore, shtypi, shtypshkronjë, veçor, veçore etj.
Ndonjë njësi e jep me mëdyshje si neologjizëm, si afërditë (N?) see zbardhëllim, agim, mënguar. Kuptohet që këtu nuk bëhet fjalë për planetin, por për çastin e largimit të natës dhe ardhjes së ditës, çast të cilin autori e jep me dy emra sinonimin Holyw dhe gabimisht me një ndajfolje prejpjesore.
5. Në Fjalor gjejmë jo pak njësi frazeologjike, por të pashenjuara si të tilla apo si idioma. Një pjesë dërrmuese e tyre dalin me funksion sintagmatik, ilustrues dhe, pandashëm, dhe me funksion shënues e konotativ: s'është e udhës, heq udhë, nuk më bie nër mënt, tani më bie nër mënt, bie erë, më bie udha, i bie pas, më bie në qafë, jam në bukë, jam në bukë të Guvernës, e kam në dorë, më dolli nga dora, s'më vjen n'doresh, dorë e parë, dorë e dytë, i mora dorën, më ra në dorë, vë dorën në zemër, jap dorë, heq dorë, dorë më dorë, i ndër dorën, nga der’ e madhe etj.
Ndonjë njësi frazeologjike del edhe si zë i veçantë leksikografik, si bie fjala - so to speak, as saying goes; ka të ngjarë - it is possibile (see mundet) etj.
6. Në fjalor gjejmë jo pak emërtime të pathjeshta, të quajtura ndryshe edhe emërtime togfjalëshore.
Kaposh deti turkey m. see gjel.
Kartë poste f. postal kard.
Mëlçi e bardhë lung. Mëlçi të bardha lungs, see also mulçi.
Edhe pse anglishtja ka në strukturën e vet leksikore shumë emërtime me të tilla dhe që në fjalorët e vet, një- e dygjuhësh u jep vend jo të vogël këtyre njësive, në pjesën e dytë të fjalorit të Drizarit, ku shqipja është gjuhë e dytë, janë dhënë shumë pak emërtime të pathjeshta. Po përmendim disa syresh:
Mother tongue gjuha amëtare, gjuha e mëmës; Holy Spirit Fryma e shenjtë; Holy Week Java e shenjtë (para Pashkëve); Chief Executive Kryetari i Shtetit, Kryezyrtar etj.

Madje këtu gjen dhe emërtime institucionesh apo organizmash të ndryshëm, si League of Nations Lidhja e kombeve; Junior American Red Cross Kryqi i Kuq Amerikan i të rijve; Holy Roman Empire Perandoria e Shenjtë Romane etj.
7. Si zëra leksikografikë në Fjalor jepen edhe emërtime gjeografike, si njësi toponomastike, qofshin emërtime njëfjalëshe, qofshin emërtime të pathjeshta, sidomos dygjymtyrëshe, etj. (emra shtetesh: Gjermani, Greqi, Greqi e Vjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumani etj.; emra qytetesh: Vlora, Durrësi; emra malesh: Tomorri; emërtime krahinash: Malësia e Madhe, Malësi e vogël), njësi onomastike (Gjerq Kastrioti - Scanderberg),
8. E shtojnë numrin e njësive në makrostrukturën e shqipes edhe njësi të etnokulturës, sidomos emërtime të festave të ndryshme (Matem), të ditëve të shënuara (Ditë e shënuar / e kremte, dit' e shënjtë / holy or sacred day) apo tek tuk edhe ndonjë fjalë të urtë (siç thotë autori, slang - fjalë e unjët).
9. Gjithashtu në Fjalor kanë zënë vend edhe emërtimet për ditët e javës, si e Hënë, e Martë, e Enjte / e Ënjte, e Premte, e Shtunë, e Dielë / e Djelë. Mungon emërtimi e Mërkurë; emërtimet për muajt e vitit, si Jenari, Shkurti, Marsi, Prilli, Maji, Qershori, Korriku, Gushti, Shtatori (që jepet me sinonimin Vjeshtë e Parë). Mungojnë emërtimet e shqipes së sotme (kalket) Tetor, Nëntor, Dhjetor. Për to gjejmë përkatësisht emërtimet e pathjeshta Vjeshtë e Dytë / Vjeshtë e Mesme, Vjeshtë e Tretë / Vjeshtë e Prasme dhe Shën-Endre.
10. Si lema të veçanta dalin dhe disa etnonime, të cilat lidhen me pakicat kombëtare apo kulturore që jetonin në Shqipëri a që lidheshin më historinë e shqiptarëve, si dhe me emërtimet e popujve e vendeve fqinje me vendin tonë, si gogë (kucovllah), grek, vllah, shqah.
Por etnonimet jo gjithnjë dalin si fjalë titull. Nganjëherë, ata dalin në çerdhe ku jepen emri i shtetit, emërtimi i popullit dhe emërtimi i gjuhës që flet ky popull: Ingli / Inglia (England), Inglis (Englishman), inglisht (English language).
11. Një anë tjetër e vlerësueshme e Fjalorit është dhënia e burimorësisë së fjalëve të huazuara: (NE) from English - nga anglishtja, (NF) from French - nga frëngjishtja, (NI) from Italian - nga italishtja. Kjo mundëson studimet të mëtejshme për parë jo vetëm gjuhën dhënëse, por edhe kohën e rrugën e hyrjes së tyre në shqipe, përkatësinë e ligjërimit apo te stilit, zhvillimet fjalëformuese apo semantike, shtrirjen territoriale apo dendurinë e përdorimit, ngulitjen apo mundësinë e zëvendësimit me një fjalë shqipe etj.
Por duhet të theksojmë se siç vërehet lehtë, autori i Fjalorit, u është referuar vetëm huazimeve bashkëkohore në shqipe dhe më konkretisht atyre nga gjuhët perëndimore. Nuk kemi shenjim apo ndonjë markim tjetër për huazimet turke / orientale apo për ato më të hershmet, greke, latine e sllave.
12. Vepra e N. Drizarit,“Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary”, ka jo rrallë herë edhe
elemente të një fjalori çerdhor. Edhe pse ato nuk janë ngaherë sistematike dhe konsekuente, mbartin vlera, sepse tregon konceptin e qartë të autorit për ta dhënë një fjalë jo të izoluar, të shkëputur, por në çerdhe paradigmatike fjalëformuese, duke ndjekur lidhjet morfematike dhe semantike. Madje shumë njësi që përfshihen në një çerdhe, janë lema të mëvetësishme që nuk dalin si zëra të veçantë leksikografikë. Megjithëse, nga pikëvështrimi i sotëm, kjo duket si mangësi, vepra duhet vlerësuar edhe për këtë përbërës, sepse rrit jo pak numrin e fjalëve të fjalësit shqip. Po japim për ilustrim:
Te Balë (patch of white hair on black or brown livestock) gjenden dhe Balash (ox or bullock, horse having white spot or spots on forehead) e Balashe ( cow or heifer mare having white spot or spots on forehead); te folja ftoj gjejmë: Ftoj I invite. ftova I invited. / i, e ftuar invited / ftesë invitation; te mbiemri i mëngjër: I mëngjër left, left-handed / dorë e mëngjër left hand / dor’ e djathtë right hend / mëngjarash left-hand; te Bashkë (together, united, joined) jepen edhe bashkëpunëtor (cooperator, collaborator), bashkëpunim (cooperation, collaboration), bashkëpunëtore (cooperator, collaborator); Te numërori katër: Katër four / i katërti the fourth / e katërta the fourth / katërmbëdhjet fourteen, / katërdhjet forty (G.) see dyzet, / katër qint four hundred / katër mijë 4,000 / një e katërt one fourth.
Madje në Fjalor ndesh shpesh dhe një sistemësi fjalëformuese. Pra autori, jo vetëm e njeh pasurinë leksikore të shqipes, por dhe ligjësitë e formimit të fjalëve, si dhe produktin e këtij procesi. Kështu emri zemër (zëmër) ka krijuar folje zemëroj (zëmëroj), nga folja është krijuar vetvetorja, emri i veprimit, mbiemri prejpjesor, janë krijuar fjalë të përbëra apo njësi frazeologjike.
zëmër, zemër f. heart. zemëra the heart. zëmëra-t pl. (G. zamën).
më theu zëmërnë he, she disappointed me, he offended me.
më këputi zëmërnë he, she broke my heart.
e dua me gjithë zëmër I love (or like) her or him with all my heart.
m’a do zëmëra I am fond of it.
me gjithë zëmër with all my heart, willingly.
zëmër-bardhë good-hearted, good fellow, meaning well.
zëmër-gur hard-hearted, stone-hearted.
zëmër-gjerë tolerant. 2. generous.
zëmër-lik wicked, vicious, bad.
zëmër-kthiellt sincere; pure at heart.
zëmërak m. irascible, irritable; touchy. zëmëraku the irascible person.
zëmërake f. irascible, irritable. zëmërakja the irascible person.
zëmërim m. anger. 2. temper. zëmërimi the anger, temper.
zëmërohem I become angry, temperamental.
zëmëroj I anger somebody, 2. offend. zëmërova I angered somebody.
i, e zëmëruar angry, angered, offened.

Edhe pse është Fjalor dygjuhësh dhe me karakter të theksuar praktik, vepra “Fjalor shqip-inglisht dhe inglisht-shqip, Albanian-English and English-Albanian dictionary”, mbart edhe elemente të relacioneve semantike brenda mikrostrukturave të njësive titull.
Tek–tuk ndeshim edhe relacionin e polisemisë dhe, shpesh, atë të sinonimisë.
a. Nga rastet e fjalëve shumëkuptimëshe po japim nja dy shembuj:
Grykë f. throat. 2. george. 3. neck. Gryka the throat.
gungë f. knot. 2. hard shell. 3. walnit with hard shell. gunga the knot. gunga-t pl. see also xhungë.
b. Sinonimia është e shtrirë gjerësisht në shpjegimet ose në dhënien e barasvlerësit të fjalës në gjuhën e parë. Kështu sinonimia nga anglishtja është mbizotëruese në marrëdhëniet fjalë shqipe – fjalë anglishte, si dhe anasjelltas, sinonimia në shqipe është mbizotëruese fjalë anglishte – fjalë shqipe:
drama f. drama, play.
I gjori the unlucky, the unfortunate.
Pushtoj I occupy, seize, dominate.
Tease (tiz) qesëndis, gërcmoj, ngas.
Leash (llish) kamxhik; purtekë, frushkull.
Nganjëherë sinonimia leksikore, sidomos ajo e anglishtes që del si varg sinonimik, shfaq pasaktësi konceptuale leksikore, sepse në varg përfshihen njësi me përkatësi leksiko-gramatikore të ndryshme, të cilat nuk mund të pranohen as si sinonimi okazionale. Kështu për foljen shqipe arrin jep ndajfoljen enough dhe madje e çon përdoruesin te vargu sinonimik i shqipes del, aqë, mjaft. Shihet se ndajfolja aqë është nxjerrë jashtë kontekstit të përdorimit, fjala vjen Aqë! Mos hidh më se arrin (mjafton). Kurse ndajfolja mjaft ka zënë vendin e foljes mjafton. Madje autori këtu nuk arrin të dallojë rrudhosjen për shkak të ekonomisë gjuhësore të gjymtyrë të fjalisë në komunikim, sepse këtu nuk kemi fjalë jashtë përdorimit (jashtë kontekstit, që është kriteri kryesor i ndërtimit të një zëri leksikografik), por merr një fjali të paplotë (mungesore) si lemë leksikografike.
Gjithashtu, te sinonimia lemore gjejmë raste që lënë për të dëshiruar. P.sh., ashtu njëjtëson me kështu: ashtu thus, that way, so. see also kështu. Tullë e njëjtëson me tjegull.
Autori ka meritën se kërkon të diferencojë semantikisht disa njësi leksikore. Barsë pregnant (only for animals). see me barrë, mbarsë. Me barrë pregnant (women or young women only). see mbarsë.
13. Fjalori shqip - inglisht dhe inglisht - shqip (Albanian - English and English - Albanian Dictionary) i Nelo Drizarit, vlerësohet edhe për sintagmatikën. Ndonëse është dygjuhësh, i një vëllimi të vogël, i hartuar në mungesë të një tradite të konsoliduar për vepra që lidhen me anglishten e shqipen, si dhe nga funksioni praktik, çka justifikojnë sasinë e cilësinë e

thënieve ilustruese pranë zërave leksikografikë, fjalori ka sendërtuar një punë deri diku të kujdesshme të autorit.
Pranë zërave të ndryshëm gjejmë ilustrime që mund të përfshihen në disa grupe: thënie të thjeshta, që dalin si struktura minimale e tregojnë jetën e fjalës në mënyrë lehtësisht të rrokshme; emërtime togfjalësha, në të cilat fjala titull është pjesë e pandashme e emërtimit; njësi frazeologjike, në të cilat fjala titull del si gjymtyrë kryesore motivuese, urime, betime, mallkim etj.
Kuptohet që në një vepër që mbart gjurmët e kohës (mungesa e një tradite të konsoliduar në leksikografinë dygjuhëshe anglisht – shqip e shqip – anglisht, mungesa e një fjalori shpjegues të shqipes, autori nuk ishte leksikograf etj.), parë nga ditët e sotme, mund të gjesh pasaktësi të tipologjive të ndryshme. Në nuk jemi ndalur në këtë prerje. Synimi ka qenë të nxjerrim në pah disa nga vlerat e saj.
Së fundi, duhet të nënvizojmë së Fjalori ka rëndësi të madhe, se tregon rrugën në të cilën eci leksikografia shqip-anglisht dhe anglisht-shqip, si dhe vetë leksikografia shqipe, tregon një gjendje të caktuar të leksikut të shqipes (vjelë nga vepra të ndryshme, sidomos leksikografike dygjuhëshe, nga formimi i tij si gjuhëtar, si gazetar etj.), dhe mbi të cilin mund të ndërmerren studime leksikore, semantike, morfologjike, dialektore, historike, etnolinguistike krahasuese etj.
 
Back
Top