"Albanglishtja" - nga Xhevat Lloshi

Exp

Kalorës i Lartë
NDËRHYRJA E HUAZIMEVE ANGLEZE
Kush nuk e beson se tashmë po shkojmë drejt një gjuhe që mund të quhej ‘albanglishtja’, do të merrte një dëshmi të fortë prej një gazete të kohëve të fundit. Shkrimi kishte në gjithë gjerësinë e faqes këtë titull me shkronja të theksuara: Shoping në internet me një klikim të mausit! (gazeta ‘Shekulli’, 2 gusht 2008). Të katra fjalët janë anglisht, kurse shqip janë vetëm pjesët shërbyese të ligjëratës dhe dy mbaresa. Sajimi ‘albanglishtja’ do të pranohet sipas krijimeve për tri gjuhët e tjera kryesore europiane, domethënë franglais, italiese dhe spanglish, që kanë kuptimin e frëngjishtes, italishtes dhe spanjishtes të përziera me anglishten. Kjo përzierje është pasojë e ndikimit të fuqishëm të anglishtes në rrethanat e sotme të globalizimit. Megjithatë, nuk do ta quaja një dukuri të vetëkuptueshme dhe të njëtrajtshme për shqipen, meqë thjesht është përfshirë në rrjedhat e gjuhëve të tjera. Shembuj të tjerë të përditshëm japin njoftimet për punësim dhe reklamat e gjithfarshme, stacionet e televizioneve dhe të radiove (si Top-Channel, Top-Albania, Albsat), programet (si Top-Show) dhe programet muzikore 24-orëshe me titujt e këngëve dhe fjalëve të tjera të modës anglisht, e deri te tabelat e dyqaneve, në hyrjet e të cilave tashmë shpesh as nuk shkruhet shqip, por vetëm anglisht Open.1
Dukuritë e huazimit të turqizmave ose të marrjeve prej gjuhësh të tjera kanë disa anë të përbashkëta. Edhe për anglicizmat mund të bëhen vëzhgime dhe të hartohen tabela sipas fushave tematike, sipas mjeteve fjalëformuese, sipas etapave. Ndër ato që bien më shumë në sy janë:

- emërtimet e sipërmarrjeve tregtare, industriale, të komunikimeve etj., p.sh. DEKA Company, AMC (Albanian Mobile Communications), UBA (United Bank of Albania), Digitalb, Telecom;
- emërtimet e hoteleve, dyqaneve e shërbimeve të tjera: Albania Tours, Eurobar, Sky Tower, House of Kings;
- mallra e produkte: baked rolls, crackers, corn-flake, coca-cola, fanta exotic;
- grupet muzikore e artistike: Rit Folks, West Side Family;
- festivale, konkurse, veprimtari sportive: Miss Albania, Miss Globe;
- gjuha e informatikës, elektronikës dhe kompjuterit është tërësisht anglisht, ndërsa një pjesë e nevojshme në përdorimin e përditshëm të folur ka marrë mbaresat përkatëse shqip: klikoj, sejvoj, fajlet.

Nuk do të shtjelloj më tej sidomos ndërhyrjen e anglishtes në drejtshkrim, në leksik përgjithësisht. Janë prekur aspekte, që tradicionalisht kanë pasur një zgjidhje të ngulitur, kurse tashti po ndryshohen duke imituar verbërisht anglishten: shkruajnë me shkronjë të madhe çfarëdo fjale të titujve, të emërtimeve të popujve e deri të muajve; ligjërata e drejtë jepet me thonjëza gjatë dialogëve; shënohet me presje ndarja e grupeve me tri shifra, kurse presja dhjetore tradicionalisht ka tjetër kuptim te ne; pikëpresjet zëvendësohen me viza në fillim e në fund etj. Në morfologji po shtohen fjalët e anglishtes në shumës që përdoren shqip si njëjësa: kaubojs, fans, hakers, skorpions. Përshtypje të keqe bën sidomos shqiptimi pa mbaresa rasore i emrave të njerëzve nga ana e folëseve të radiotelevizionit thjesht si modë (p.sh. Bush tha).

Në një drejtim tjetër, mund të propozohen fjalë, kalkime e neologjizma për zëvendësimin e anglicizmave, në vazhdën tradicionale të purizmit. Gjithsesi, dëshiroj ta tërheq vëmendjen te kërkimet e domosdoshme për të hapur shtigje të reja. Kjo domosdoshmëri diktohet prej tablosë së ndryshuar që na shfaqet. Një varg risish i bëjnë të pavlefshme përpjekjet që nisen nga puna e dikurshme prej kohës së Rilindjes.

Për ardhjen e anglicizmave në kushtet e globalizimit nuk është e mjaftueshme të thuhet hyrja e huazimeve. Jemi përballë ndërhyrjes së huazimeve angleze në gjuhën shqipe. Rrjedha e sotme nuk vjen në një vend të zbrazët, nuk plotëson thjesht mangësitë e nevojat, madje nuk është kalimtare si modë, as nuk pritet ndonjë etapë në të ardhmen, kur gjërat shpresohet se do të ndryshojnë, siç shpresohej për shembull, me arritjen e pavarësisë që ndodhi më 1912. Vala e globalizimit është edhe kohësisht globale.

Ja edhe një shembull me lidhje të shtrira në disa drejtime. Fjalori i gjuhës shqipe më 1954 nuk e kishte fjalën drogë, as dhe çerdhen e saj, ndonëse specialistët e njihnin për drogat mjekësore. Ai kishte përfshirë narkotik dhe narkotizoj me kuptimin e lëndës që vë në gjumë, por jo për lëndët me veprim halucinogjen. Më 1980 Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e ka përfshirë drogë, e ka ndarë në dy kuptime, por kuptimin e dytë e ka shpjeguar thjesht me sinonimin narkotik. Shqyrtimi gjuhësor tregon se drogë është një huazim neolatin për shqipen. Në fillim të viteve 1970 nisi të merrte kuptimin e dytë për lëndët halucinogjene, prandaj më 1980 gjejmë në Fjalor edhe fjalën drogaman. Kjo është një trajtë që nuk përdoret në gjuhën shqipe. Është huazimi drogomane nga italishtja, në të cilën është ndërtuar më 1968. Përkthyesit e kanë ndier se nuk përputhej me formimet në shqipen dhe e bënë drogaman. Pikërisht kështu kemi dëshminë e ndikimit të anglishtes. Tashmë huazimi neolatin i nënshtrohet pranisë së përdorimit mbizotërues të anglishtes. Përkthyesit shqiptarë ishin përpjekur ta bënin sipas narkoman, por atëherë duhej ta kishin ruajtur trajtën e italishtes. Përfundimisht askush nuk e përdor sot këtë trajtë. Në ligjërimin e shkujdesur është në përdorim drogaxhi, ndërsa në përdorimin letrar ka disa zgjidhje për të dy kuptimet: i droguar, përdorues i drogës; shpërndarës droge, trafikant droge. Fjalori i gjuhës shqipe i vitit 2006, si një ribotim nuk e ka rregulluar punën dhe ka mbajtur një fjalë që askush nuk e përdor.

Më 1980 drogë është shpjeguar thjesht me narkotik, kurse në redaktimin e vitit 2006 është shpjeguar me hollësi, domethënë tashmë drogë është fjala më e përdorur kundrejt narkotik. Më 1980 folja jepet si vetvetore: drogohem, ndërsa më 2006 është pranuar të vihet trajta veprore drogoj. Më 1980 mbiemri i droguar thuhet thjesht i narkotizuar, kurse më 2006 shpjegohet, e njëkohësisht është shtuar emri prejfoljor drogim. Kështu, brenda gjysmë shekulli fjala drogë hyri në shqipen, duke gjetur aty narkotik. Sot ajo ka marrë përparësinë lidhur me përhapjen e vesit, ndërsa narkotik dhe çerdhja e saj është ngulitur mirë për fushën e mjekësisë, ku lidhet kryesisht me narkozën. Ka ndodhur një rishpërndarje e fushës tematike. Por kjo është bërë në praninë e ndikimit të anglishtes. Nga italishtja drogomane dështoi, sepse u përftua një model prej anglishtes, siç e tregon bindshëm fjala bllokmen, prandaj ndeshet edhe trajta drogmen. Narcotrafficante e italishtes (e ndërtuar më 1987) dhe narcotraffico (e vitit 1986) i kishin të gjitha mundësitë që të zinin vend si huazime, mirëpo janë parapëlqyer ndërtimet me drogë: trafikantët e drogës dhe trafiku i drogës, sepse është anglishtja (drug trafficker, drug traffic) që mbizotëron në përkthimet e deri te hartimi i ligjeve.

Ana më interesante, që duhet vënë përsëri në dukje, është se trajtat fonetike e ruajnë të qartë prejardhjen nga gjuhët neolatine, kurse kuptimet dhe ndërtimi i togjeve ndjekin anglishten. Drogë ndryshon fonetikisht nga anglishtja drug, por kjo nuk e pengon ndërhyrjen e anglishtes. Edhe më qartë shihet kjo te ndryshimet kuptimore për aplikim, aplikoj; ato nuk kanë ndryshuar fonetikisht, mirëpo kuptimet e reja janë drejtpërdrejt nën ndikimin e application dhe të apply. Folja e anglishtes e ka pikërisht si kuptim të parë paraqitjen e kërkesës.
 
Back
Top