Drakula nuk vdiq kurrë
Miti i tij është si vetë ai: I përjetshëm. Dikur terrorizonte mesjetën dhe intrigonte romantikët, ndërsa sot josh adoleshentët. Ja përse vampirët vazhdojnë të pëlqehen kaq shumë.
Ka ndonjë vit a më shumë, që i gjen gjithandej. Kanë pushtuar raftet e librarive, por sidomos ekranet, si ata televizivë edhe të kinemasë. Nga seritë televizive “Buffy, vrasësja e vampirëve” dhe “Twilight”, duke kaluar nëpër “Ditarët e vampirit”, krijesat që thithin gjak thyejnë vazhdimisht çdo rekord frekuentimi. Sado që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, të gjithë ata kanë një paraardhës të përbashkët, Drakulën. I lindur nga pena e shkrimtarit irlandez Bram Stoker në fund të shekullit XIX, ky personazh është frymëzuar nga figura historike e Vladit të Tretë Drakula. Kush ishte ky burrë që të meritonte “pasardhës” të këtillë? Nga vjen fama e tij kaq e tmerrshme dhe në ç’mënyrë i dha jetë një miti kaq të fuqishëm? Lista e mizorive që Vladi III ka kryer vërtet, është mbresëlënëse.
Gjithçka fillon në shekullin XV. Vladi lindi rreth viti 1430 në Sigishoara, qytezë në qendër të Rumanisë. Nuk i kishte mbushur ende 14 vjeçët kur i ati mori fronin e Vllahisë, një rajon në jug të vendit. Atë epokë, gjithë zona gjendej në një situatë politike shumë delikate. Duke qenë ndërkaq vasal i Hungarisë, sovrani kërcënohej në lindje nga përparimi i turqve; prej dy shekujsh, perandoria otomane ishte lëshuar me një fushatë ekspansioni në thellësi të Ballkanit. Otomanët kishin mbërritur deri në Detin e Zi, kontrollonin të dyja brigjet e Danubit dhe rrugët kryesore të komunikimit.
Për të mbrojtur kufijtë e tyre, Hungaria dhe Vllahia u detyruan të lidhnin një traktat paqeje me sulltanin. Në shenjë të vullnetit të mirë, princi vllah dërgoi “peng” në oborrin e sulltanit dy bijtë e njomë, njëri syresh Vladi. Por pak pas mbërritjes së fëmijëve, Papa e hodhi poshtë marrëveshjen e mësipërme të paqes, në emër të kryqëzatës kundër Islamit. Otomanët, të zemëruar, e mbajtën rob Vlad Drakulën bashkë me të vëllanë, për katër vjet rresht.
Mes sadizmit dhe legjendës
Se ç’lloj jete e torturash iu nënshtruan dy të miturit, nuk dihet me saktësi. Por dihet se kur Vladi hypi në fron me emrin Vladi III, ndërmori një luftë të egër dhe të pandalshme kundër otomanëve. Shfaqja më e parapëlqyer e tij ishte ngulja e kokave të armiqve në hunj të gjatë apo shkuarja e tyre në hell: Për këtë i mbeti dhe “titulli” Vlad Tepesh (hu-ngulësi). Poshtë dritareve të kështjellës së tij, thuhet se kishte krijuar dora-dorës një pyll të tërë me hunj majë të cilëve nguleshin kokat e ushtarëve otomanë e kundërshtarëve të tjerë; një sipërfaqe që zgjatej me kilometra.
Ndodhte që duke festuar, shijonte agoninë e fundit të viktimave. Me mijëra burra, gra e fëmijë qenkëshin vrarë kësisoj, pa numëruar viktimat e vrasjeve “të zakonshme”. Paskësh shkuar deri aty sa të detyronte nënat të hanin fëmijët e tyre pasi ishin “gatuar”, apo bashkëshortët të hanin gjinjtë e grave. Kjo legjendë makabre sa më s’ka, është rrëfyer edhe në një shkrim anonim të titulluar “Historia e vojvodës Drakula” (Histoire du voievode Dracula), publikuar në vitin 1463 dhe shpëndarë në gjithë Europën.
A përkon kjo me të vërtetën? Vështirë ta thuash. “Është e pamundur të llogarisësh viktimat e Drakulës duke u mbështetur në dokumentet e epokës”, paralajmëron historiani rumun Matei Kazacu, i specializuar në epokën e Vladit III, që nënvizon rëndësinë e propagandës keqdashëse që gëloi rreth këtij personazhi. “Kjo sepse princi, pasi nuk u kënaq dhe thyerjen e sulmeve otomane, nisi ta nxjerrë inatin edhe me familjet e mëdha të mbretërisë së tij, bojarët, që tradicionalisht ishin vendimmarrës dhe bënin ligjin. Eliminoi privilegjet e një pjese të popullsisë, për të nxjerrë të ardhura për luftën kundër turqve. Nuk është për t’u çuditur, pra, që këto masa të ngjallnin shumë pakënaqësi”.
Në fakt, nuk ekzistojnë prova që ky sovran të ketë qenë më shumë mizor se bashkëkohësit e tij. Matei Kazacu pohon se ndëshkimet që urdhëronte Drakula, ishin relativisht të zakonshme në shekullit XV. Por në dallim nga të tjerët, “Vlad Drakula e shijonte ndëshkimin, e bënte spektakolar terrorin, për ta shfrytëzuar si armë politike”. Gjithsesi, kjo nuk do t’i mjaftonte për një jetë të gjatë. Në vitin 1476 u vra në fushëbetejë kundër turqve dhe u harrua.
Kafshimi dhe seksualiteti
Duhet të vinte shekulli XIX që shkrimtari Bram Stoker ta shpluhuroste këtë personazh nga errësira e shekujve. Teksa ishte në kërkim të frymëzimit, autori përjetoi një makth, të mbushur përplot me vampirë. Vendosi që ta shndërronte këtë përjetim në subjekt të librit të tij, me protagonist njëfarë Konti Vampyr. Kur ishte duke bërë kërkime në bibliotekë mbi Transilvaninë, rajoni pranë Vllahisë dhe djep i shumë legjendave mbi gjakpirësit, has në figurën e Vlad Drakulës.
Kështu ndodhi që Konti Vampyr u bë Konti Drakula. Në atë kohë, historitë me vampirë ishin të modës në Europë. Në fillim të shekullit XIX, romanticizmi i rinxorri në pah këto tema. “Romantikëve u pëlqente ideja e jetës pas vdekjes. Gjithashtu edhe dimensioni seksual, që fshihet pas nguljes së dhëmbëve dhe posedimit të trupit të dikujt përmes kafshimit fatal, është shumë intensiv”, thotë Marjolen Bute, historiane franceze e kulturës popullore. Në një epokë kur nuk lejohej të flitej për seksin, këta personazhe mundësonin “anashkalimin” e rregullave të moralit.
Por figura e vampirit është shumë më antike se kaq. Që në shekullin XII besohej se të vdekurit kërkonin t’u pinin gjakun të gjallëve, një bindje veçanërisht e përhapur në ishujt britanikë dhe në vendet ortodokse, ku nuk ekzistonte koncepti i Purgatorit dhe ku nuk përcaktohej fare destinacioni i shpirtrave në pritje të marrjes së gjykimit. Epidemitë e mëdha vdekjeprurëse dhe varrezat masive, ku ndonjëherë futeshin nën dhe edhe njerëz ende të gjallë, ndikuan edhe më shumë në përhapjen e legjendës. Disa arkeologë kanë gjetur skelete të shekullit XVI, me kafazin e kraharorit të përshkuar nga një hu druri, apo me gojën e mbajtur hapur nga ndonjë tullë a tjegull, për t’i penguar “të kafshonin” qefinin me të cilin ishin mbështjellë.
E megjithatë, i botuar në vitin 1897, libri i Bram Stokerit pati sukses të kufizuar. Ishte përshtatja teatrale e mëvonshme, e më tej ajo kinematografike, çka e futi Drakulën në legjendë.
Në kinema
Në vitin 1931, Universal Studios prodhuan një komedi të frymëzuar nga libri, që një vit më herët kishte pasur sukses të hatashëm në Broduej si produksion skenik. I pritur mirë nga publiku i gjerë, “Drakula” e Tod Brauningut ishte i pari i një serie të gjatë prej mbi 200 filmash të frymëzuar nga ky personazh.
“Figura e vampirit ka kaq sukses, sepse përfaqëson një metaforë perfekte të qenies njerëzore, që përplaset mes instiktit të vet të kafshës, etjes për gjak dhe dëshirës për pavdekësi”, analizon Marjolen Bute. Dhe me Drakulën, vampiri vjen dhe merr fytyrë njerëzore, duke humbur pak nga pak përmasën e vet monstruoze. Romani i En Rajsit (Anne Rice), “Intervistë me vampirin” (1976), e humanizon përfundimisht personazhin e famshëm dhe hap rrugën për vampirët post-modernë të pajisur me ndjenja, si tek seria “Buffy kundër vampirëve”, apo më tej akoma “Twilight”, një sukses madhështor tek adoleshentët.
“Të rinjve u pëlqen kjo figurë, sepse evokon tema joshëse e të forta për ta, si vdekja dhe seksi”, thotë Bute, “por elementi që josh më shumë tek saga Twilight, është riaktualizimi i përrallave në një shoqëri të hiperseksualizuar si kjo e jona”. Sa për Vlad Drakulën e vërtetë, pjesërisht i harruar pas këtyre zhvillimeve, figura e tij ridoli në dritë në shekullin e njëzetë, kur diktatori rumun Nikolae Çaushesku e shpalli hero kombëtar.
Vampirë në Venecia
Edhe Italia ka vampirin e saj: Një grua që sot do të ishte 380 vjeçe. Vdiq nga murtaja në Venecia dhe u varros si “vampire e mundshme”: Me një copë tulle në gojë për ta penguar të ushqehej me gjak dhe të shndërrohej në Nachtzehrer, mishngrënësin e natës, shërbëtor i demonëve dhe bartës i murtajës. Kjo epidemi e llahtarshme, që shfarosi Europën në periudhën 1400-1600, mes shumë pasojave të tjera shkaktoi edhe hapjen e vazhdueshme të varreve për të futur gjithnjë e më shumë kufoma. Spektakli në këto raste ishte dramatik. “Murtaja konsiderohej vepër e djallit dhe shërbëtorëve të tij”, thotë arkeologu kriminolog Mateo Borini, që në vitet 2006-08 drejtonte një ekspeditë gërmimesh në Lazarretto Nuovo të Venecias. “Ajo e Venecies është varrosja rituale më e ruajtur e Europës. Dëshmon lemerinë e Perëndimit përballë dekompozimit të trupave”.
Nga Elise Forestier